Lidhje

Kosovë, fillon java e gruas


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha sot se një vend mund të përparojë vetëm nëse gruaja është e përparuar, arsimuar dhe ekonomikisht e fuqishme. Ajo i bëri këto komente në fillim të javës së gruas në Kosovë, një projekt i përbashkët i grupit të grave deputete dhe Institutit Kombëtar Demokratik. Projekti synon nxitjen e ndryshimeve në pozitën e gruas e cila ende vlerësohet e vështirë.

Presidentja Jahjaga tha se puna dhe përgjegjësia e shoqërisë ndaj gruas në Kosovë është larg të qenit e përfunduar.

“Gruaja në Kosovë vazhdon të jetë në pozitë të vështirë dhe të pafavorshme, e goditur në vazhdimësi nga varfëria dhe dhimbjet e një jete nga mungesat e mëdha. Për të ndryshuar gjendjen dhe ngushtuar hapësirën për diskriminimin e gruas duhet patjetër t'i japin një shtytje të madhe emancipimit dhe arsimimit të gruas në Kosovë, si e drejt e pamohueshme njerëzore”, tha presidentja Jahjaga.

Statistikat flasin për një situatë ende të rëndë të gruas. Më shumë se gjysma e rasteve të dhunës në Kosovë kanë të bëjnë me gratë, që janë viktima të dhunës në familje por edhe në shoqëri. Madje kjo përqindje shpesh është edhe më e lartë. Gjatë vitit 2011, nga një mijë e 46 raste të dhunës të raportuara në polici, në 804 raste viktima ishin gratë. Të dhënat flasin se numri i grave analfabete është 10 për qind me i madh sesa të burrat, ndërsa ato janë më të rrezikuara edhe nga papunësia dhe varfëria.

Presidentja Jahjaga tha se siguria për gruan është thelbësore për sigurinë e një shoqërie.

“Se asnjë shoqëri nuk është e sigurt nëse pjesëtarët e saj veçanërisht gratë nuk janë të sigurta. Siguria për gruan nënkupton siguri për fëmijët, siguri për familjen dhe siguri për tërë shoqërinë”, tha presidentja Jahjaga.

Drejtoresha e Programit të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtarë Maureen Shauket duke e përmendur presidenten Jahjaga si shembull të mrekullueshëm të asaj se çfarë mund të bëjnë gratë në Kosovë, tha se java e gruas është një qasje e re krijuese për mbështetjen e ndryshimeve në pozitën e gruas në Kosovë.

“Mendojmë se pjesëmarrja e barabartë e gruas në politike dhe qeverisje, është thelbësore për ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme”, tha ajo duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet grave për të siguruar mbrojtje të qëllimeve të tyre.

Ndërkaq, Teuta Sahatçija drejtuese e grupit të grave deputete tha se gruaja duhet të shndërrohet në partner të barabartë edhe në politike por edhe në fushat tjera të jetës.

“Ne në grupin e grave deputete mendojmë se pozita e gruas nuk është privilegj as pronë as politikë e një partie, por është obligim i gjithë shoqërisë dhe i të gjitha partive të punojnë që gruaja të shndërrohet në partner të barabartë si në politikë po ashtu edhe në të gjitha sektorët. Kështu së paku na thotë kushtetuta dhe ligjet që i kemi miratuar ne vet. Ne besojmë se nuk mund të ketë zhvillim të mirëfilltë të demokracisë, nuk mund të ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik e as kulturor nëse gjysma e popullsisë nuk angazhohet me kapacitetin e plotë që posedon në këto procese”, tha zonja Sahatçija.

Veprimtaret thonë se Kosova ka ligje të mira, por zbatimi i tyre është pjesa më e vështirë e punës. Për të siguruar një përfaqësim të saj, Kosova ende zbaton “kuotën” prej 30 për qindësh të përfaqësimit të grave në Parlament, por kjo nuk ndodhë në shkallët tjera të pushtetit.

XS
SM
MD
LG