Lidhje

Kosovë: Thirrje për bashkërendim e konsensus për bisedimet me Serbinë


Grupet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen këtë javë në Bruksel për të trajtuar temat e ngritura javën e kaluar në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.

Të dy udhëheqësit diskutuan të enjten e kaluar për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës dhe zhvillimin ekonomik, në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, pas një pezullimi 20 muajsh të tyre, me pajtimin që të vazhdojnë në shtator.

Kryeministri Hoti u gjet nën kritika në Kosovë ku thuhet se me Serbinë duhet të diskutohet vetëm për njohje dhe duhet shmangur çdo mundësi që procesi të stërzgjatet me diskutime teknike.

“Dialogu është vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Të enjten është një takim tjetër në Bruksel ku do të jetë prezent koordinatori shtetëror për dialog të cilin do ta emëroj së shpejti për të biseduar dhe draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke, ky është objekti ynë i vetëm në këtë proces, çdo koment tjetër që dëgjoni ose nuk është i informuar plotësisht ose dëshirojnë vet t’i shtrembërojnë gjërat ashtu si dëshirojnë ata”, tha kryeministri Hoti.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Zoti Basha i cili po takohet me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike bëri thirrje për bashkërendim të gjitha forcave politike në Kosovë përballë sfidave me të cilat po përballet.

“Si parti e orientimin euro-atlantik kam theksuar bindjen dhe besimin se bashkërendimi midis SHBA-së dhe BE-së ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative në raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën evropiane dhe euro-atlantike të gjithë vendeve të rajonit që dëshirojnë këtë dhe në veçanti sa i përket dialogut besoj dhe shpreh bindjen se një bashkërendim i tillë do ta fuqizoj dhe përshpejtoj procesin e dialogut me synim njohjen reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, tha zoti Basha.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian rifilluan pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili për herë të parë nuk është pjesë e procesit, tha sot se bisedimet me Serbinë duhet të përmbylljen me njohje të ndërsjellë dhe jo me aspekte teknike.

“Për ne është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim e para në mes të spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë dhe përfshirës në mënyrë të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, qytetarëve, partive politike dhe institucioneve, gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur ndërsa gjithashtu është jetike për ne faktorin ndërkombëtar të jetë i koordinuar së pari Bashkimi Evropian të jetë unik por edhe një koordinim i ngushtë në mes të Uashigntonit dhe Brukselit në mënyrë që të jetë një proces i siguritë, i besueshëm dhe pastaj i pranueshëm për qytetarët e Kosovës dhe që duhet të përmbyllet jo në aspektin teknik sepse aspektet teknike kemi diskutuar tash e nëntë vite por të përmbyllet me njohje reciproke sa më shpejt që është e mundur”, tha presidenti Thaçi.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh, një pjesë e madhe e të cilave nuk janë zbatuar kurrë dhe nuk arritën deri tani të përmbushin synimin kryesor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

XS
SM
MD
LG