Lidhje

Kosovë: Thirrje që Serbia të pranojë fajin për krimet ndaj shqiptarëve


Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha të mërkurën në Prishtinë se mospranimi i fajit dhe mos kërkim falja nga Serbia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës, e mban peng procesin e bisedimeve ndërmjet dy shteteve.

Këto komente zonja Osmani i bëri gjatë një seance të parlamentit për nder të ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, e cila filloi me një minutë heshtje për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë.

Mbi një mijë e 600 persona ende mbajnë statusin e “personave të pagjetur”, por, ata nuk janë thjesht të pagjetur, ata janë “të pagjetur të fshehur” nga pushteti pasardhës i regjimit që kreu gjenocid mbi ta. Bazuar edhe në Konventën mbi gjenocidin, por edhe në vendimet e gjykatave ndërkombëtare kundër krimeve, këta persona nuk janë thjesht |të pagjetur”, ata janë “të zhdukur me dhunë”, të cilët po mbahen edhe sot të zhdukur me dhunë, madje duke bërë thirrje që të mos zbulohen kurrë. Ky është krimi i vazhdueshëm serb mbi viktimat, mbi të zhdukurit me dhunë, për të cilët ne kërkojmë drejtësi”, tha zonja Osmani.

Përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës në Kosovë, pjesëmarrës në këtë seancë, thanë se nuk mund të ketë qetësi derisa kryesit e krimeve të dalin përpara drejtësisë.

Unë nga ky parlament sot kërkoj që ta votoni me procedurë të përshpejtuar ligjin për të pagjeturit me të cilin do t’i mbroni e nderoni familjet e dëmtuara të cilat i keni shndërruar në raste sociale. Sigurisht po të ishin gjallë edhe bijtë e bijat tona do të ishin ndoshta sot ulur si deputetë ku jeni ju, do të ishin profesorë apo inxhinierë, por ja që ata ranë e ju që po i gëzoni të mirat e lirisë e keni për detyrë të punoni për ne që ta ndjejmë edhe në dorën e shtetit të pavarur”, tha Nusrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave”.

Ju lus që në dialog me Serbinë të mos shkohet më pa e kushtëzuar atë që të jap informacione për të pagjeturit, të mos bisedohet më, kemi biseduar mjaftueshëm, kanë luajtur me varreza masive”, tha, Bajram Qerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj – Halimaj, vuri theksin tek të mbijetuarat e përdhunimeve gjatë luftës, si një nga trashëgimitë më të dhimbshme të saj.

Me 15 tetor të këtij viti zhvillova një takim me përfaqësuesit e qendrës për promovimin e të drejtave të grave në Drenas, me të cilat diskutuam për domosdoshmërinë e mobilizimit të gjithëmbarshëm të institucioneve shtetërore për ndriçimin e plotë të dhunës seksuale si një nga format e gjenocidit që ka zbatuar Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë. Vizita ime dëshmon për vendosmërinë e qeverisë që të angazhohet me të gjitha mundësitë që ka për të ndriçuar tërësisht dhunën seksuale si formën më çnjerëzore të luftës”, tha zonja Balaj – Halimaj.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Muajin që lamë pas u zbulua edhe një varrezë masive në Kizhevak të Rashkës, në Serbinë jugperëndimore, ku filluan gërmimet më 30 nëntor pak ditë pasi që hetuesit mjeko-ligjorë duke përdorur pamje satelitore, thanë se në një minierë të hapur ka gjurmë të trupave që mendohet se janë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG