Lidhje

Osmani: Kosova u vonua me vaksinat – Serbia po shkel marrëveshjet


Ushtruesja e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha të martën se Kosova është vonuar të sigurojë vaksinën kundër COVID-19, ndërsa pret që përveç nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Kosova të përfitojë edhe nga ndihma e disa vendeve të Bashkimit Evropian.

Ajo i bëri këto komente gjatë një vizite në Klinikën Infektive në Prishtinë, ku trajtohen pacientët me gjendje më të rëndë shëndetësore nga koronavirusi.

“Mendoj që kemi vonesa të cilat nuk do të duhej të arsyetoheshin. Shtetet e tjera të rajonit janë para nesh prandaj edhe ne duhet të kërkojmë dhe do të kërkojmë përgjegjësi nga qeveria pse nuk jemi të përgatitur dhe pritet që sipas të gjitha gjasave vaksinat të vijnë dikur tek pas prillit. Por kjo nuk do të thotë që tash nuk janë duke u bërë edhe përpjekje të tjera maksimale në mënyrë që të marrim ndihmën e disa shteteve të BE-së, sidomos disa që kanë porositur më shumë vaksina sesa që e kanë numrin e popullatës së tyre”, tha zonja Osmani.

Ajo e cilësoi shkelje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjeëtsuara nga Bashkimi Evropian, vaksinimin e qytetarëve serb në veri të Kosovës nga ana e Serbisë.

Ky veprim tha ajo “dëshmon që Serbia është vetëm nënshkruese në atë proces dhe kurrë zbatuese e premtimeve që jep, por në anën tjetër tregon edhe një mungesë të përgatitjes nga institucionet tona në mënyrë që gjithë qytetarët në çdo cep të Kosovës përfshirë edhe në veriun e vendit të njoftohen se kur duhet t’i presin ata vaksinat nga institucionet e Kosovës. Përderisa mungon një informatë e tillë dhe një bashkërendim, natyrisht që Serbia shfrytëzon pastaj çdo hapësirë, çdo vakum për ta destabilizuar vendin sepse ata edhe kur e përdorin këtë kinse për mbrojtje të qytetarëve, e shfrytëzojnë për destabilizim të situatës së sigurisë por edhe politik i cili pastaj mund të ketë edhe pasoja më të mëdha”, tha ajo duke bërë thirrje që të hetohen rrugët e futjes së këtyre vaksinave në Kosovë.

Javën e kaluar mediet lokale serbe në veri të Kosovës shpërndanë video të qytetarëve duke pritur në radhë për t’u vaksinuar, një ditë pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka filluar vaksinimi i qytetarëve në veri të Kosovës me vaksinën e prodhuar nga kompanitë Pfizer/BioNTech.

Qeveria e Kosovës tha të se nuk ka ndonjë informatë nga Doganat dhe policia se në veriun e vendit kanë hyrë vaksina kundër COVID-19, të dërguara nga Serbia për vaksinimin e qytetarëve serbë në atë zonë. Sipas qeverisë, institucionet nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje as nëpërmjet zyrave ndërlidhëse dhe as përmes ndërmjetësimit të institucioneve ndërkombëtare.

Vaksinat e para të kompanisë Pfizer/BioNTech, kanë arritur në Serbi më 22 dhjetor dhe një pjesë të tyre autoritete serbe thanë se e kanë dërguar në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kosova ende nuk ka siguruar vaksinën, ndërsa autoritete shpresojnë që të jenë në mesin e vendeve të para që do ta marrin atë përmes programit COVAX, që ka premtuar 360 mijë doza për Kosovën, ndërsa të tjerat duhet t’i blejë vet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG