Lidhje

Kosova do t’i bashkohet rrjetit energjetik të Shqipërisë


Kosova do të bashkohet në rrjetin energjetik të Shqipërisë nga muaji prill i vitit të ardhshëm, sipas një marrëveshje të nënshkruar të hënën, duke i dhënë fund varësisë nga rrjeti i Serbisë, autoritetet e së cilës reaguan me zemërim.

Të hënën në Tiranë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), nënshkruan Marrëveshjen për themelimin e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një njoftim të KOSTT-it thuhet se “operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjetike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”.

Njoftimi citon kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala , të ketë thënë se “kjo është marrëveshje historike për Kosovën meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese serbe (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut)”.

Ndërsa administratori i përgjithshëm i OST-ut, Skerdi Drenova, tha se kjo “garanton sigurinë e operimit për të dy Sistemet Elektroenergjetike dhe krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda Bllokut”.

Në Beograd, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, tha se “Shqipëria e madhe energjetike ekziston vetëm në ëndrrat shoviniste të disa politikanëve në Prishtinë”, ndërsa bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të mos lejojë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë.

Ai tha se Serbia është pronare dhe ndërtuese e rrjetit elektrik në Kosovë, ndërsa “blloku është i pazbatueshëm në terren dhe ai duhet të ndalet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare para se të prodhojë pasoja për energjetikën rajonale, madje edhe për qëndrueshmërinë politike dhe të vulosë ardhmërinë e dialogut”.

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian sipas së cilës KOSTT-i dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS), duhej të fillonin funksionimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO).

Por, ajo ende nuk është zbatuar sikundër edhe një pjesë e madhe e marrëveshjeve të arritura në bisedimet që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG