Lidhje

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta në Kosovë

  • Leonat Shehu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Ilir Meta, i bën thirrje të mërkurën Bashkimit Evropian që ta bëjë më të qartë perspektivën evropiane për Kosovën. Këto komente u bënë në Prishtinë, në fillim të vizitës dy ditëshe të presidentit shqiptar Ilir Meta, i cili u dekorua edhe me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, për siç u tha, kontributin e tij para dhe pas luftës në Kosovë.

Të dy presidentët u zotuan për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë ndërsa veçuan rëndësinë e anëtarësimit të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Bashkimi Evropian nuk duhet të harrojë për asnjë moment se politika e zgjerimit ka qenë katalizator i proceseve transformuese, demokratike, i forcimit të sigurisë dhe të paqes e qëndrueshmërisë në këtë rajon që ka qenë problematik për të gjithë kontinentin në të kaluarën”, tha presidenti Meta.

Kosova e ka të qartë qëllimin e misionin e vet, që të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, në këtë drejtim nuk ka asnjë luhatje”, tha presidenti Thaçi.

Por, presidenti Thaçi kritikoi Bashkimin Evropian për siç tha izolimin e Kosovës me mospërfshirjen e saj në regjimin e udhëtimit pa viza, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve të Shqipërisë që t’i pajisin qytetarët e Kosovës me pasaporta, në mënyrë që ata të lëvizin lirshëm.

“Pasi që marrëveshja për shënimin e kufirit është vënë si kusht i domosdoshëm që Kosova ta zbatojë që të ndodh liberalizimi i vizave. Në të ardhmen e afërt nuk shoh ndonjë perspektivë që parlamenti i Kosovës me këtë logjikë dhe mentalitet të funksionimit, veprimit dhe votimit se mund ta kaloj marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Në anën tjetër qasja bllokuese e Bashkimit Evropian që është argument shtesë në raport me Kosovën më shtynë që sot t’i lutem edhe presidentit të Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës me të drejtën për dy shtetësi t’u lejohet qytetarëve të Kosovës që të aplikojnë për nënshtetësi, të fitojnë këtë të drejtë dhe të lëvizin lirshëm në Evropë”, tha Presidenti Thaçi.

Ai tha se tashmë shumë zyrtarë institucional dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë pajisur me nënshtetësi shqiptare dhe nga kjo e drejtë nuk duhet të privohen edhe qytetarët e Kosovës.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha se marrja e nënshtetësisë shqiptare nga qytetarët e Kosovës nuk është zgjidhje, pavarësisht siç tha jo mungesës së dëshirës për këtë gjë. Ai tha se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi është i padrejtë, por duhet gjetur një zgjidhje.

Është shumë e domosdoshme që me shumë mençuri të zgjidhet dhe të tejkalohet çështja e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi pasi që kjo është mjaft e rëndësishme jo vetëm për liberalizimin e vizave por për të gjithë perspektivën evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës. Në këtë drejtim duhet nxitur një mirëkuptim dhe një konsensus sa më i gjerë, sepse unë besoj që e ardhmja evropiane e Kosovës është aspiratë e të qytetarëve dhe partive politike”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shtuar kritikat ditëve të fundit ndaj Bashkimit Evropian për shkak të që siç thotë, bllokimit të rrugës evropiane të Kosovës. Në fillim të javës ai kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për mos përmbushjen e premtimeve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe liberalizimin e vizave, premtime këto që sipas presidentit Thaçi janë bërë në funksion të miratimit të Gjykatën e Posaçme për krime lufte, e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG