Lidhje

Mustafa e Rama për bashkëpunimin Kosovë - Shqipëri


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vlerësuan siç thanë, rezultatet pozitive që kanë pasuar fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe janë shprehur të përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit.

Ata i bënë këto komente pas një takimi në Prishtinë ku kryeministri Rama po qëndron në kuadër të ceremonive për përurimin e presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sot u betua në parlamentin e Kosovës.

Kryeministri Mustafa tha se bashkë me zotin Rama, kanë vlerësuar bashkëpunimin vëllazëror, por edhe bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të Shqipërisë si dhe bashkëpunimin ekonomik.

"Vlerësuam, po ashtu, se kemi arritur mjaft në implementimin e marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar vitin e kaluar dhe marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar edhe në takimin e parë në Prizren, pastaj në takimin në Tiranë në shumë fusha, në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e shkencës, në fushën e kulturës, në fushën e bashkëpunimit tregtar. Do të vazhdojmë me takime të përbashkëta të dy qeverive dhe do të punojmë bashkërisht në përgatitjen e takimit të ardhshëm, në të cilin do të bëjmë një vlerësim të punëve të deritanishme, por edhe të aktiviteteve të cilat ne kemi interes t’i zhvillojmë si aktivitete të përbashkëta sepse vlerësojmë se bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Republikën e Kosovës", tha kryeministri Mustafa

Ndërsa kryeministri Rama, tha se është diskutuar rendi i ditës së mbledhjes së radhës ndërmjet dy qeverive, bazuar në faktin që sic tha ai, "ky proces i bashkëqeverisjes së problemeve dhe çështjeve të interesit të përbashkët, na ka dhënë rezultate shumë të mira".

"Mjafton të shohim shifrat e shkëmbimeve tregtare dhe të eksportit në të dy anët e kufirit, për të kuptuar jo vetëm se sa shumë është bërë së bashku, por edhe se çfarë potenciali të madh ka, sepse ka ende probleme për t’u adresuar dhe çështje për t’u zgjidhur, në mënyrë që kjo hapësirë të jetë një hapësirë e lirë shkëmbimesh dhe një hapësirë ku përmes këtyre shkëmbimeve arrihet mirëqenia e popullit tonë në të dy anët.

Nga ana tjetër, është me rëndësi të theksoj që ne përgatitemi për etapën e tretë të Procesit të Berlinit, që do të na çojë së bashku edhe me kryeministrat e rajonit këtë vit në Paris dhe jam shumë krenar që historia e suksesit në procesin e mbledhjeve të dy qeverive, është një arsye që ne të nxisim së bashku një proces më të gjerë rajonal për heqjen e barrierave jotarifore dhe për lehtësimin maksimal të shkëmbimeve mes njerëzve, mallrave, në mënyrë që të rrisim maksimalisht hapësirën e të gjithë sipërmarrjeve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në rajon", tha kryeministri Rama.

Ai gjatë të enjtes ka takuar edhe udhëheqës të tjerë institucionesh si dhe përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë.

XS
SM
MD
LG