Lidhje

Rama: Akuzat ndaj Thaçit e Veselit - sprovë kombëtare


Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se njoftimi i Prokurorisë së Posaçme për akuzat ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ka nxitur një krizë, ndërsa bëri thirrje për bashkim përballë kësaj sprove kombëtare siç e cilësoi ai.

"Thelbi i shqetësimit që sot duhet të kemi si komb, nuk lidhet as me dy persona, nuk lidhet as me karrierën e tyre politike dhe me të mirat apo të metat e tyre në kohë paqe, nuk lidhet as me simpatitë, bindjet, mbështetjen apo kundërshtitë politike të natyrës zgjedhore, por lidhet me një prej vlerave më të rëndësishme që ka krijuar kombi shqiptar që është vlera e luftës për liri të Kosovës” tha kryeministri Rama duke e vlerësuar situatën edhe si mundësi të madhe për të vënë në pah, siç tha ai, “jo thjesht vlerat e luftës por edhe njëherë tjetër të vërtetën elementare se Kosova ishte viktima dhe jo agresori, për të vënë në pah të gjithë vlerën e krijuar në këtë proces shtetndërtimi si shprehje e gatishmërisë për drejtësi nga vet Kosova dhe balancën e prishur mes Kosovës dhe Serbisë në raport me drejtësinë për krimet e luftës”.

Ai i bëri këto komente në fund të vizitës së tij dyditëshe në Kosovës gjatë së cilës u takua me udhëheqësit e institucioneve dhe shumicën e partive politike për të biseduar lidhur me situatën e krijuar në vend pas publikimit të njoftimit të Prokurorisë së Posaçme.

Të hënën presidenti Thaçi tha se do të jap dorëheqjen dhe do të përballet me akuzat nëse ato konfirmohen, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e prokurorisë.

Publikimi i akuzave ndodhi në prag të takimit Kosovë - Serbi në Shtëpinë e Bardhë të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan Richard Grenell duke ngritur pikëpyetje rreth vazhdimit të këtyre bisedimeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Kryeministri Rama tha se koha e publikimit të njoftimit të prokurorisë, “përbën arsye për të thënë se historia e kësaj gjykate speciale nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik që lidhet me paqen”.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, i cili qëndroi në Washington pikërisht në ditët që ishte paraparë të zhvillohej takimi ndërmjet Kosovës e Serbisë, tha se prej andej sjell tri mesazhe: "e para nuk ka marrëveshje sekrete dhe për konsum të brendshëm politik nuk ka nevojë të abuzohet me një temë të interesit kombëtar. E dyta nuk ka ndarje të Kosovës, dhe e treta nuk ka nxitim për një marrëveshje të shpejtë në dëm të Kosovës për çfarëdo interesi elektoral në Amerikë”, tha zoti Cakaj.

Kryeministri Rama bëri thirrje për bashkim në këtë periudhë, ndërsa theksoi se do tërheq padinë që kishte ngritur ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj, në janar të këtij viti.

“E tërheq padinë, jo sepse është e vogël për mua, por sepse është shumë e madhe ajo që sot duhet të bashkojë të gjithë”, tha kryeministri Rama, i cili takoi të gjithë, përveç zotit Haradinaj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG