Lidhje

Kosova shënon përvjetorin e pavarësisë


Kosova po shënon 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në një periudhë të trysnisë së ripërtërirë ndërkombëtare për një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe më nje skenë politike ndryshe nga 12 vjetet e shkuara.

Kosova 12 vjet pavarësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:20 0:00

Udhëheqës të institucioneve ngritën flamurin shtetëror, vunë kurora tek shtatoret e ish udhëheqësve politik e ushtarak të vendit dhe nderuan të rënët e të zhdukurit gjatë luftës së fundit.

Parlamenti i Kosovës u mblodh në seancë solemne për të shënuar këtë përvjetor, në të cilën kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani, theksoi mirënjohjen ndaj aleatëve të vendit.

“Këtë rrugëtim e bëmë bashkë me shumë miq, të cilëve do t’u jemi përjetëissht mirënjohës. Ata jo vetëm u rreshtuan krahas popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës që nga dita e parë e çlirimit. Ne sot i lusim ata që të qëndrojnë krah nesh dhe në synimet tona të përbashkëta edhe tash e tutje. I lusim që të qëndrojnë krah nesh në jetësimin e vullnetit të qytetarëve tanë për integrim të shpejt në struktura euro-atlantike, për zhvillim ekonomik dhe prosperim të përgjithshëm të vendit. U jemi mirënjohës vendeve dhe popujve evropianë me të cilët ne i ndajmë të njëjta hapësira gjeografike por po ashtu të njëjta vlera. Në veçanti u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit të lirë amerikan me të cilët ne ruajmë miqësi të hershme e të përhershme”.

Ajo tha se pavarësia e Kosovës e ka vulosur edhe fatin edhe lirinë e popujve në Ballkan dhe ishte hapi vendimtar në konsolidimin e marrëdhënieve mes popujve në Evropën Juglindore të cilët duan të jetojnë të lirë e të pavarur dhe në paqe me njëri tjetrin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një fjalim para Forcës së Sigurisë së Kosovës se vendi duhet të jetë i bashkuar në politikën e jashtme.

“Dallimet e brendshme duhet të mbeten brenda. Ne duhet ta forcojmë vendin edhe nga brenda edhe nga jashtë, prandaj investimet në ushtri janë të nevojshme. Përderisa forcojmë ushtrinë do të forcojmë edhe ekonominë. Pasuria nuk duhet të pasurojë politikanët po popullin”, tha mes tjerash ai.

Përvjetori i po përshkohet me thirrjet për të hequr tarifat e vendosura nga qeveria ndaj mallrave serbe, që t’i hapet rrugë procesit të bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Diplomacia amerikane njëkohësisht i ka bërë thirrje Serbisë që të heq dorë nga përpjekjet për të tërhequr njohjet për Kosovën. Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar edhe në urimet me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës se një marrëveshje me Serbinë duhet ta ketë në thelb, njohjen e ndërsjellë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

Pavarësia e saj është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia. Procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja palëve mbetet i pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për të vazhduar bisedimet pa heqjen e tarifave nga qeveria e Kosovës të vendosura në nëntor të vitit 2018.

Por edhe përvjetori i 12-të i pavarësisë e gjen Kosovën të fundit në rajon në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në Evropën Juglindore që nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shëngen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG