Përfaqësuesit e Instituti të Shëndetit Publik dhe Klinikës Infektive në Kosovë, thanë të martën se tek asnjëri prej zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që shfaqën shenja alergjie derisa po hapnin zarfet më votat nga Serbia nuk shfaqen shenja të ndonjë sëmundjeje ngjitëse.
Autoritetet ndërprenë të dielën procesin e verifikimit të votave të dërguara me postë nga Serbia, pasi që një numër i zyrtarëve që ishin në kontakt me zarfet e hapura, shfaqën shenja alergjie.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha, tha të martën se analizat e kryera përjashtojnë mundësinë e pranisë së ndonjë agjenti infektiv.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Shëndetin Publik, Naser Ramadani, tha se tash i takon mjekësisë ligjore që të trajtojë burimin e kontaminimit që nxiti reagimin alergjik tek zyrtarët e prekur.
Në kohën e hapjes së zarfeve në mjediset ku po kryhet verifikimi i votave ndodheshin 26 zyrtarë dhe 12 prej tyre janë trajtuar në spitalet e Prishtinës. Gjendja e tyre shëndetësore sipas mjekëve, është e mirë.
Votat nga Serbia janë pjesë e votimeve me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u bëri thirrje të institucioneve të sigurisë që të hetojnë dhe të zbardhin dyshimet për, siç thuhet, helmimin e personelit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Beogradi kishte hedhur dyshimet se tërë zhvillimet rreth votave nga Serbia janë përpjekje për të dëmtuar rezultatin e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, që mbështetet nga Serbia.
Presidenti Thaçi kërkoi nga institucionet që rasti të hetohet deri në fund, ndërsa bëri thirrje për “përmbajtje nga deklarimet politike dhe nga raportimet e pakonfirmuara deri në përfundimin e hetimeve”.
Facebook Forum