Lidhje

Kosovë: 7 vjet heqje lirie për terrorizëm


Gjykata themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, rreth 40 kilometra larg Prishtinës, dënoi një shqiptar me shtatë vjet heqje lirie nën akuzat për veprën penale rekrutimi për terrorizëm.

Në vendimin e gjykatës thuhet se "i pandehuri F.R. akuzohet se me dashje me të pandehurit Z.Q, I.B etj, kanë marrë pjesë në kryerjen e veprave penale terroriste dhe në aktivitetet e grupit terrorist që të sigurojnë fonde dhe burime materiale në atë mënyrë që gjatë muajit korrik 2012 në veturën e tij ka transportuar një person deri në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës, i cili pastaj ka udhëtuar përmes Turqisë për në Siri për të luftuar. Pastaj në nëntor të po të njëjtit vit, përmes një agjencie turistike, ka paguar tri bileta udhëtimi Prishtinë – Stamboll dhe Stamboll – Hatay, qytet në kufi me Sirinë, për B.K, A.D dhe B.D. Dy të fundit edhe më tej janë në Siri. Po ashtu i pandehuri në shtator të vitit 2013, sipas kërkesës së të pandehurit I.B, ka mundësuar udhëtimin e P.B. (tashmë i vrarë) dhe Sh.K, për në Siri në tetor 2013 bashkë me I.B, H.D dhe K.M të gjithë për të luftuar në anën e organizatës terroriste të ISIS-it dhe Al-Nusra".

Gjykata tha se afaristit të dënuar të premten, Fatos Rizvanolli, i cili qe arrestuar në mars të vitit 2016, i janë konfiskuar disa makina që përdoreshin në veprimtaritë e tij.

Kosova është përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në konfliktet në Lindjen e Mesme. Sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në ato konflikte. Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash afro 40 veta janë dënuar nga gjykatat.

XS
SM
MD
LG