Lidhje

LDK: Marrëveshja me Vetëvendosjen - të përfshijë të gjitha pozitat udhëheqëse të vendit


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të mërkurën se pjesë e marrëveshjes për koalicion qeverisës me lëvizjen Vetëvendosje duhet të jenë të gjitha pozitat udhëheqëse të vendit, përfshirë atë të presidentit të vendit.

Ai i bëri këto komente pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike, ku është diskutuar për siç është thënë, mbarëvajtjen e bisedimeve me lëvizjen Vetëvendosje për koalicionin e mundshëm paszgjedhor.

Kosovë, fillojnë përgatitjet për parlamentin e ri
Kosovë, fillojnë përgatitjet për parlamentin e ri

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që dolën të parat në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, ene nuk kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës dhe çështja ka ngecur te posti i presidentit të vendit, pasi që Lidhja Demokratike po kërkon që në marrëveshje të përfshihet edhe ky post dhe ai t’i takojë asaj në vitin 2021.

Zoti Mustafa tha se koalicioni me Vetëvendosjen nuk duhet të shihet si koalicion i rivalëve politik por si koalicion për të bërë ndryshimet e domosdoshme në qeverisje.

“Parimi që u tha në Këshillin e Përgjithshëm është që pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat me të cilat do të sfidohet ky koalicion qeverisës gjatë këtyre katër viteve dhe po ashtu, që trajtimi i këtyre pozitave duhet të jetë në harmoni me interesin tonë, që të kemi koalicion që zgjat katër vjet ose edhe tetë vjet dhe assesi një koalicion që do të sfidohet në momentet e caktuara qoftë nga zgjedhja e presidentit ose momentet tjera që mund të jenë sfiduese për këtë koalicion”, tha zoti Mustafa duke nënvizuar se duhet mirëbesim në mënyrë që të arrihet marrëveshja.

“Çështja e presidentit është një çështje që duhet të diskutohet sepse është një nga pozitat me të cilën do të sfidohemi gjatë kësaj periudhe, unë konsideroj që nuk duhet të jetë një çështje që domosdoshmërisht do të na bllokoj sepse është çështje e një mirëbesimi, është çështje e një besimi por jo çështje që do të ndodh sot. Nuk shoh ndonjë pengesë që lëvizja Vetëvendosje të jap një zotim për partnerin e vet që do ta përkrahë atë pozitë që ta ketë LDK-ja si kandidat ashtu siç na ja japim besimin kryeministrit i cili vjen nga Vetëvendosje dhe nuk shtrojmë pyetje se a duhet të jetë apo jo”, tha zoti Mustafa, duke theksuar se “nuk asnjë plan B” dhe që nëse nuk arrihet marrëveshje me Vetëvendosjen, LDK-ja do të shkojë në opozitë.

Më herët gjatë ditës kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se kishte shpresuar që do të ketë takim gjatë kësaj jave.

“Ne lëvizjen Vetëvendosje besojmë që mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm me subjektin tonë duhet të mbahet pas marrëveshjes dhe jo para marrëveshjes. Pra, lëvizja Vetëvendosje, mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm do ta mbaj pasi që ta kemi marrëveshjen për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mirëpo ngelet të shihet sot pasdite se kjo mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së a është thirrur për të betonuar qëndrimet me kërkesat e njohura tashmë apo është thirrur për ta mundësuar marrëveshjen me neve. Unë besoj se duhet të ketë takime mirëpo nuk mund të ketë takime përderisa thirren organet më të larta të subjektit”, tha zoti Kurti.

Zoti Kurti tha se beson dhe shpreson që të ketë një qeveri me Lidhjen Demokratike.

“Pra populli e do këtë ndryshim, unë jam i gatshëm për këtë ndryshim, kam garuar për kryeministër të ri, kam fituar në zgjedhje, lëvizja Vetëvendosje është fituese besoj që sa më parë që merremi vesh aq më mirë do të jetë dhe me 26 dhjetor të shkojmë të përgatitur me marrëveshjen e cila përveç harmonizimit programor tashmë të dakorduar do ta ketë edhe atë për ndarjen e përgjegjësive”, tha zoti Kurti.

Të mërkurën kryesia e parlamentit të Kosovës filloi përgatitjet për mbajtjen e seancës konstituive të parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, që do të mbahet më 26 dhjetor.

Kryetari i deritashëm i parlamentit, Kadri Veseli tha pas mbledhjes së kryesisë se shpreson që në këtë datë të formohen edhe institucionet e vendit.

“Me datën 26 në ora 15 do të kemi seancën konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, ishte mbledhje procedurale, në bazë të rregullores së Kuvendit janë përcaktuar kornizat e mbledhjes së seancës konstituive dhe besoj shumë shpejt me datën 26 do të kemi një legjislaturë të re, përkatësisht një epokë të re të politikës në Kosovë”, tha zoti Veseli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG