Lidhje

Gjykata Kushtetuese: Marrëveshja me Serbinë duhet ndryshuar


Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha të mërkurën se pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kushtetuesja mbi marreveshjet e Kosoves
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Në vendimin prej 39 faqesh, Gjykata Kushtetuese konstaton se Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga parlamenti i Kosovës, përkatësisht sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përcaktuar në marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me nenet që kanë të bëjnë me kapitujt mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve te tyre.

Gjykata thekson se marrëveshja që të jetë e vlefshme duhet të plotësojë standardet kushtetuese dhe duhet te jene ne pajtueshmëri me kapitujt e saj.

Gjykata thekson se masa e përkohshme e vendosur me 10 nëntor 2015, me të cilën ishte pezulluar zbatimi i marrëveshjes përfundon me shpalljen e aktgjykimit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për interpretimin e përputhshmërisë së parimeve të asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës.

Kërkesa pasoi një periudhë tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht.

Opozita bllokoi punën e parlamentit duke theksuar se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës. Sipas marrëveshjes, ky asociacion do të ketë një shkallë autonomie në disa fusha, siç janë arsimi, shëndetësia e planifikimi urban e rural.

Autoritetet mirëpresin vendimin e Gjykatës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese u bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe spektrit politik në Kosovës që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidentja Jahjaga ka ftuar partitë e koalicionit qeverisës dhe opozitën të shfrytëzojnë këtë moment për të rinisur dialogun politik në Kosovë dhe për të rikthyer normalitetin në vend.

Qeveria e Kosovës e mirëpret dhe e përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa zotohet se do ta zbatojë me përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese në fazat që ndërlidhen me hartimin e Statutit dhe të Dekretit të Asociacionit.

Në një komunikatë për opinion, qeveria “fton gjithë spektrin politik, përfshirë partitë opozitare, që të respektojnë këtë vendim, i cili është në përputhje edhe me vetë Marrëveshjen e Parimeve, në të cilën ishte paraparë tekstualisht që e njëjta të shqyrtohej nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se është jetike për vendin që të përmbushen kërkesat ligjore dhe që të gjithë aktorët politikë t’i rikthehen jetës institucionale dhe debateve politike, të cilat duhet të zhvillohen brenda institucioneve, e në radhë të parë brenda Kuvendit të Kosovës”.

Opozita mirëpret vendimin – kritikon qeverinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në një komunikatë të saj thuhet se vendimi i saj është dëshmi e pamohueshme se marrëveshja për asociacionin e komunave serbe, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet kështu siç është shkruar e zeza mbi të bardhë dhe cdo sugjerim apo kërkesë e Gjykatës Kushtetuese se si të procedohet më tutje me këtë marrëveshje, nuk mund të jetë në domenin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Ndërsa në një komunikatë të përbashkët të tri partitë opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, tha se “Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, si dhe koalicioni i tyre duhet të japin përgjegjësi për shkelje të Kushtetutës. Këta shkelën Kushtetutën, dhe mashtruan qytetarët duke u përpjekur ta fshihnin këtë mashtrim. Po ashtu, ata kanë vënë në lajthitje Kuvendin e Republikës, duke tentuar dhunshëm ta bëjnë atë pjesë të shkeljes së tyre të rëndë”.

Beogradi kërkon zbatimin e marrëveshjes për asociacionin

Shefi i zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuric tha të mërkurën në mbrëmje se Beogradi pret dhe kërkon zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Brukselit.

“Për Serbinë marrëveshja e vetme e vlefshme është ajo e 25 gushtit”, tha ai duke nënvizuar se Serbia kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që pa vonesë të sigurojë zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Neve askush nuk na ka pyetur kur është miratuar ajo kushtetutë e krahinës, prandaj sot bisedojmë në Bruksel dhe mendoj që respektimi i marrëveshjes së Brukselit është mënyra e vetme që të vazhdohet me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës”, tha ai.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën më 14 dhjetor, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

XS
SM
MD
LG