Lidhje

Gj.K. e Kosovë, ligji për bisedimet me Serbine, jo kushtetues


Gjykata Kushtetuese e Kosovës, tha të enjten se ligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e 15 marsit të partive opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e këtij ligji i cili bashkë më platformën e Kosovës për bisedimet me Serbinë, u miratua në fillim të muajit mars.

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.

GjK e Kosovës për ligjin e bisedimeve me Serbinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:20 0:00

Më tej në vendim thuhet se gjykata ka gjetur që “bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek ‘mekanizmi i posaçëm’ i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i vesh delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese”.

Gjykata po ashtu konstaton se me normat kushtetuese në mënyrë të qartë se përgjegjësitë “për të dialoguar me një shtet të tretë, nuk mund të barten tek delegacioni shtetëror si ‘mekanizëm i posaçëm’ përmes një akti më të ulët juridik, siç është Ligji i kontestuar”.

Mes tjerash në vendim theksohet se “përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo kompetencë është e përcaktuar me Kushtetutë dhe nënkupton, para së gjithash, që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që kanë institucionet e Republikës së Kosovës”.

Gjykata, thuhet në njoftim, njëzëri vendosi se “ligji i kontestuar, në tërësinë e tij, është i papajtueshëm me Kushtetutën”.

Delegacioni i Kosovës për bisedimet me Serbinë ishte miratuar në parlament në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Në krye të tij qenë emëruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti. Ligji që u shpall sot jo kushtetues përcaktonte detyrat e këtij delegacioni në bisedime.

Reagimet pas vendimit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një postim në rrjetet sociale se e vlerëson “shumë vullnetin politik dhe përgjegjshmërinë individuale të kryesuesve të Ekipit Negociator, të cilët kur Kosova ka vluar nga debatet shterpe politike, kanë qenë në gjendje të dalin përtej tyre dhe të marrin përgjegjësi shtetërore. Në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin politik, udhëheqësit e institucioneve, liderët politikë të të gjitha subjekteve, duhet të jenë të bashkuar në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjes paqësore, e cila hap perspektiven e integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit dhe stagnimit!”.

Bashkëkryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, Shpend Ahmeti tha se “Partia Socialdemokrate e pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të veprojë sipas tij. Rrjedhimisht nga sot anëtarët e Delegacionit shtetëror nga radhët e PSD-së pushojnë të shërbejnë në këtë organ. Ne kemi hyrë në Delegacion me kushtin që delegacioni të ketë kompetenca. Meqenëse ato nuk janë më, atëherë qëndrimi ynë në delegacion është pa kurrfarë rëndësie ligjore”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se Partia Demokratike do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Nga fillimi, PDK ka besuar se Kosova ka institucionet legjitime për ta udhëhequr procesin e dialogut duke respektuar Kushtetutën e vendit. Ne vazhdojmë të besojmë, se megjithatë, konsensusi politik është i nevojshëm për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë që do të përfundonte me njohje të ndërsjellë dhe ulëse në OKB”.

Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, thanë se pas vendimit të sotëm, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme

Avdullah Hoti nga Lidhja Demoratike tha se “Kosova është dëmtuar shumë nga pazaret antikushtuese të koalicionit PAN. Në të gjitha veprimet që ka ndërmarrë Qeveria sa i përket dialogut ka bërë shkelje kushtetuese...Sot menjëherë ekipi dialogues dhe qeveria duhet të japin dorëheqje. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja për të zgjedhur institucione legjitime, që marrin përsipër obligimet shtetërore sipas Kushtetutës”.

Lëvizja Vetëvendosje tha se “zgjedhjet e jashtëzakonshme janë e vetmja zgjidhje në kushtet kur qeveria me ligj antikushtetues i shmanget përgjegjësisë dhe i kalon kompetencat e politikës së jashtme presidentit problematik Thaçi”.

Krijimi i delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë dhe platforma për këto bisedime, pasoi debatet e ashpra që pasuan idetë e hedhura verën e vitit të kaluar për prekje kufijsh si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Miratimi i platformës e cila siç thuhet, synon të caktojë vijat e kuqe të Kosovës në bisedime dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe themelimi i delegacionit shtetëror, qenë vlerësuar një hap me rëndësi për procesin nga partitë politike në pushtet në Kosovë. Por, opozita kishte vlerësuar se veprimet janë kundërkushtetuese.

Beogradi e kishte vlerësuar miratimin e platformës si “gozhdën e fundit në arkivolin e bisedimeve”.

Procesi i bisedimeve mbetet i pezulluar për shkak se Beogradi kushtëzon vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi në nëntor të vitit të kaluar.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë pezullimin e tarifave në mënyrë që t’u hapet rrugë bisedimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje, që shihet vështirë e arritshme për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta të palëve, të cilën bën që të dështojë edhe një nismë e Francës dhe Gjermanisë për një takim në Paris më 1 korrik në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të bisedimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG