Lidhje

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shqyrton vlefshmërinë e votës për qeverinë Hoti


Gjykata Kushtetuese mbajti të mërkurën një seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”.

Gjykata Kushtetuese mban seancë dëgjimore për vlefshmërinë e qeverisë Hoti
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Deputeti Arifi, në prill të vitit 2018, ishte dënuar me dy vjet burgim, për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove. Dënimi i zotit Arifi, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Por, me gjithë dënimin e formës së prerë, zoti Arifi votoi në dy seanca të rëndësishme të parlamentit të Kosovës, meqë gjykata i miratoi dy kërkesat e tij për shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç thuhej, shkaqe shëndetësore.

Në seancën e parlamentit më 25 mars ai votoi në mbështetje të mocionit të mosbesimit të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës që çoi në rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Zoti Arifi me 3 qershor votoi në favor të ngritjes së qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti.

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se pjesëmarrja e Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, siç thuhet si votë përcaktuese, e bën qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti të paligjshme.

Përfaqësuesi i saj, Blerim Sallahu, tha në seancën dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese se vota e deputetit Etem Arifi është kundër kushtetuese.

“Dhe rrjedhimisht vendimi i qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me nenin 93.3 për arsye se në momentin e votimit qeveria i ka marrë vetëm 61 numra, nuk mund të funksionoj qeveria e Kosovës me një votë të korruptume, pra ajo votë në momentin që ai deputet nuk ka mandat dhe voton për një qeveri nuk mund të funksionojë qeveria mbi bazën e një vote të tillë. Qeveria duhet të ketë integritet kushtetues dhe duhet të notojë në shtratin kushtetues. Në asnjë mënyrë dhe asnjë rrethanë tjetër qeveria nuk mund të ushtrojë funksione tjera, andaj konsiderohet e pazgjedhur kjo qeveri, konsiderohet e pazgjedhur sepse nuk ka marr numrin e nevojshëm të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai.

Por, avokati Besnik Berisha, që përfaqëson qeverinë e Kosovës, tha se deputeti Etem Arifi është dënuar gjatë legjislaturës së kaluar dhe kësisoj nuk mund t’i merret mandati nga parlamenti.

“Pra kërkesa jonë është që të rrëzoni kërkesën dhe konfirmoni se vendimi i zgjedhjes së qeverisë Hoti është në përputhje kushtetuese dhe nuk ka pasur papërshtatshmëri ligjore dhe as kushtetuese për ardhjen e qeverisë në funksionin dhe detyrat e saj”, tha zoti Berisha.

Drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj i tha Zërit të Amerikës se nga praktikat e ndërtuara deri tani, do të jetë vështirë që Gjykata Kushtetuese të shpallë të pavlefshme votën e deputetit Arifi.

“Për arsye se aktgjykimi i formës së prerë ka ndodhur në legjislacionin e kaluar, në legjislaturën e 6-të që mund të ketë edhe pasoja juridike për marrjen e mandatit në atë legjislaturë. Nëse Gjykata Kushtetuese dëshiron të marr si precedentë praktikat e gjykatave Kushtetuese të shteteve tjera dhe do vendoste parimin që kujtdo që është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë i kufizohet e drejta për t’u kandiduar, atëherë sigurisht që do të ndërtonte një standard jashtëzakonisht të mirë që do të ndikonte në ngritjen e integritetit jo vetëm të parlamentit por edhe institucioneve tjera pasi që kjo pastaj do ta parandalonte situata kur persona të gjykuar, persona që kanë probleme me ligjin në një farë mënyre të përfaqësonin qoftë qytetarët e Kosovës në Kuvend qoftë edhe në institucione tjera, në qeveri apo institucione që kanë pushtet ekzekutiv”, tha ai.

Zoti Miftaraj tha se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të kërkesës së lëvizjes Vetëvendosje atëherë i gjithë procesi i formimit të qeverisë do të kthehej në pikën zero.

“Pasojat do të ishin që kjo qeveri do të shpallej që është formuar në mënyrë kundër kushtetuese që do të thotë e njëjta do të pushonte së ekzistuari, por sidoqoftë të gjitha vendimet që i ka marr kjo qeveri do të mbeteshin në fuqi që nënkupton se nuk do të kishte pasoja në mënyrë retroaktive për çdo vendim që e ka marr. Në anën tjetër në bazë të praktikës së ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese lidhur me formimin e institucioneve por edhe qeverisë, krejt kjo do kthehej në pikën zero që nënkupton pastaj partia e cila i ka fituar zgjedhjet e fundit më 6 tetor të vitit të kaluar, lëvizja Vetëvendosje, do të duhej që brenda një afati prej 10 ditësh të propozojë kandidatin për mandatar për kryeministër tek presidentja e Kosovës.”, tha zoti Miftaraj.

Qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti u votua me numrin minimal prej 61 votash, më 3 qershor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG