Lidhje

Bujar Bukoshi shpallet i pafajshëm


Ish zv/kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi u lirua nga akuzat për korrupsion

Një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli të pafajshëm nga akuzat për korrupsion, ish zëvendëskryeministrin e Kosovës, Bujar Bukoshi, që ishte pjesë e një procesi të njohur si rasti i ministrisë së shëndetësisë.

Gjykata shpalli fajtor dhe e dënoi me 18 muaj heqje lirie ish sekretarin e përhershëm të ministrisë së shëndetësisë Ilir Tolaj, për veprën penale të nxitjes së falsifikimit të dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje dhe për shmangie të tatimit. Njëkohësisht atij i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet.

Ish punonjësja e kësaj ministrie, Arbenita Pajaziti, u shpall fajtore për falsifikimin e dokumenteve dhe u dënua me tetë muaj heqje lirie me kusht për një periudhë prej 2 vjetësh. Asaj i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 2 vjet.

Me tetë muaj heqje lirie u dënua edhe Hajrullah Fejza për marrje të mitos. Njëkohësisht atij i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik për 3 vjet.

Katër të tjerë në mesin e të cilëve edhe zoti Bu Bukoshi, u lanë të lirë,
Në korrik të vitit të kaluar EULEX-i akuzoi tetë persona për një varg veprash që ndërlidhen me korrupsionin.

Aktakuza kundër zotit Bukoshi, kishte të bënte me periudhën kur ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.

Zoti Bukoshi, gjatë viteve të 90-ta u bë i njohur si kryeministër i qeverisë së shqiptarëve të Kosovës në mërgim, ndërsa pas luftës ai për një periudhë themeloi një parti të re politike, për t’u rikthyer sërish në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pas zgjedhjeve të vitit 2010, ai u bë pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga kryeministri Thaçi dhe deri në publikimin e akuzës mbante postin e njërit nga zv/kryeministrat e vendit. Pak ditë pas shpalljes së akuzës, ai u lirua nga kjo detyrë.
XS
SM
MD
LG