Lidhje

Kosovë: pesë të dënuar për "nxitje të veprave terroriste"


Një gjykatë në Prishtinë dënoi me nga tre deri në 4 vjet gjysmë heqje lirie pesë persona nën akuzat për veprën penale "nxitje për kryerjen e veprave terroriste në tentativë".

Personi i gjashtë që besohet të ketë qenë në lidhje më këtë grup është në arrati.

Sipas aktakuzës, “me datën 10 korrik të vitit 2015 në orët e vona të natës, sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë shkuar tek liqeni i Badovcit, (rreth 5 kilometra në lindje të Prishtinës) që me ikonografinë e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta regjistrojnë një video propaganduese, në të cilën kanë pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS dhe ta publikojnë këtë video në internet, për të dëshmuar para botës për shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik në Republikën e Kosovës”.

Të pestët qenë dënuar në korrik të vitit të kaluar më 4 deri në 13 vjet heqje lirie, ndërsa dënimet e sotme pasuan një proces të ri gjyqësor pas vendimit të gjykatës së Lartë të Kosovës për rigjykim.

Të arrestuar në vitin 2015 atyre do t'u llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim.

Që nga viti 2014, autoritetet në Kosovë kanë bërë përpjekje që nëpërmjet arrestimeve dhe ligjeve të pengojnë përfshirjen e qytetarëve të saj në luftërat në Siri dhe Irak. Mbi 200 persona janë hetuar dhe rreth 130 veta janë arrestuar gjatë kësaj kohe. Rreth 50 veta janë dënuar në gjykatat e vendit.

Që nga viti 2012 besohet se në atë zonë kanë qëndruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova, ndërsa janë kthyer rreth 120 syresh. Mbi 60 veta besohet se janë vrarë në luftërat një Lindjen e Mesme ku edhe më tej ndodhen rreth 75 luftëtarë dhe po aq gra e fëmijë.

Autoritetet pohojnë se nuk ka raste të rejë të shkuarjes në luftërat në Lindjen e Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG