Lidhje

Fillon gjykimi ndaj dy të rinjve të dyshuar për terrorizëm


Dy të rinj nga Kosova ngarkojnë ata për përpjekje që t’i bashkohen luftës në Siri, përkatësisht organizatave “Al Qaeda” dhe “Al Nusra”.

Në Prishtinë, të martën është mbajtur seanca e parë gjyqësore kundër dy personave nën dyshimet për siç thuhet, “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist në tentativë”.

Dy të rinj Alban Kelmendi dhe Admir Bytyqi 23 dhe 19 vjeçar, thanë se ndjehen të pafajshëm për akuzat që i ngarkojnë ata për përpjekje që t’i bashkohen luftës në Siri, përkatësisht organizatave “Al Qaeda” dhe “Al Nusra”.

Të dy të rinjtë nga komuna e Ferizajt në Kosovën juglindore qenë arrestuar në fillim të muajit shkurt në aeroportin e Prishtinës, derisa po udhëtonin për në Stamboll, prej nga sipas akuzës, synonin t’i bashkoheshin luftës në Siri.

Me këtë, sipas prokurorisë, ata kanë kryer veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste në tentativë, vepra që sipas Kodit Penal të Kosovës dënohen prej 5 deri në 10 vjet burgim.

Më herët gjatë vitit, agjencitë e zbulimit thanë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndërsa askush nuk ka numra të saktë të tyre.

Parlamenti i Kosovës miratoi në parim një projektligj që ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës që të përfshihen në luftërat jashtë vendit.

Autoritetet kanë bërë thirrje që të shmanget çdo mundësi e përfshirjes në luftën e Sirisë, ndërsa thirrjeve u është bashkuar në disa raste edhe Bashkësia Islame e Kosovës, sipas së cilës zhvillimet në lindjen e mesme dhe posaçërisht ato në Siri, nuk duhet të ndikojnë në veprimet e besimtarëve në Kosovë, duke tërhequr vërejtjen se ajo është kundër shkuarjes në luftën e atjeshme.
XS
SM
MD
LG