Autoritetet në Kosovë konfirmuan edhe 40 raste të reja të të prekurve me koronavirus, ndërsa janë miratuar lehtësime të kufizimeve që synonin parandalimin e përhapjes së infeksioneve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se 40 rastet e reja u konfirmuan pas 296 testeve.
Sipas institutit 10 raste janë nga komuna e Prishtinës, 8 raste nga komuna e Vushtrrisë, 7 nga komuna e Prizrenit, 6 nga komuna Fushë Kosovë, 5 nga komuna e Obiliqit, nga 1 rast në Skenderaj, Gjilan, Rahovec dhe Mitrovicë.
“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës e në veçanti në komunën e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit nga mos mbajtja e distancës dhe mos mbajtja e maskave”, thuhet në njoftimin e Institutit.
Rastet e së dielës e çuan në 1 mijë e 234 numrin e përgjithshëm të të prekurve nga koronavirusi, nga të cilët 31 kanë humbur jetën, ndërsa 890 janë shpallur të shëruar.
Të dielën qeveria e Kosovës, miratoi lehtësimin e disa masave kufizuese, sipas të cilave nga e hëna qytetarët që hyjnë në Kosovë përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se në këtë mënyrë do të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave, posaçërisht nga Shqipëria dhe Lugina e Preshevës.
Nga e hëna hiqet edhe orari i kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Autoritetet qeveritare thanë se do të hartohet edhe një doracak për mbrojtjen nga COVID-19-ta, për të gjitha veprimtaritë publike si dhe fillimin e këshillimeve rreth mundësisë së rihapjes së trafikut ajror.
Nga 1 qershori, në Kosovë janë hequr masat kufizuese për një varg veprimtarish, përfshirë baret e restorantet.
Facebook Forum