Lidhje

Kosovë: Gjykata Kushtetuese shpall jokushtetuese disa nga masat kundër pandemisë


Gjykata Kushtetuese e Kosovës i shpalli të pavlefshme disa nga masat ministrisë së Shëndetësisë në muajin prill për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Më 13 prill ministria e Shëndetësisë shpalosi masa të shtrënguara që filluan të zbatohen nga 15 prilli dhe do të jenë në fuqi deri më 4 maj. Me këto masa lejohen qytetarët e moshës mbi 16 vjeçare dhe nën 65 vjeç, të dalin nga shtëpitë një herë në ditë për një orë e gjysmë për t’u furnizuar me mallra të domosdoshme.

Masat u kundërshtuan nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë e cila më 17 prill i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretimin e përputhshmërisë së tyre me Kushtetutën e Kosovës.

Të premten gjykata tha se vendimi “i 14 prillit 2020 të ministrisë së Shëndetësisë, “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në komunën e Prizrenit, në komunën e Dragashit dhe atë të Istogut, përkitazi me kundërvajtjet administrative, nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën”.

Gjykata konstaton në vendimin e saj se edhe “vendimi i 12 prillit 2020 për shpalljen e komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Ministria e Shëndetësisë tha se do të zbatojë vendimet e gjykatës Kushtetuese ndërsa arsyetoi masat e marra prej saj.

Nëpërmjet një komunikate për opinion, ministria e Shëndetësisë tha se “të gjitha masat që kemi marrë vijnë si rekomandim direkt i Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik të Kosovës që ka konsideruar që Prizreni konsiderohet i infektuar ose drejtpërdrejt i rrezikuar nga përhapja e infeksionit COVID-19”.

Më tej në arsyetimin e ministrisë thuhet se “puna jonë është bërë gati e pamundur në këtë kohë kur opozita në vazhdimësi ka refuzuar të bashkëpunojë në raport me nismat legjislative. Megjithatë, ne mbesim të përkushtuar në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por po me aq përkushtim ne veprojmë për respektimin e të drejtës në jetë – e cila është e drejtë absolute”, thuhet në reagimin e ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkaq presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, presidenti Thaçi tha se “kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë. Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues!”, shkroi ai.

Në një konferencë për gazetarë në orët e mbrëmjes, deputetja e Partisë Demokratike, Besa Ismaili tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese vërteton për herë të dytë radhazi shkeljet e qeverisë së Albin Kurtit.

“Lëvizja Vetëvendosje, ka ardhur në pushtet duke mashtruar qytetarët si partia që do të garantojë në Kosovë sundimin e ligjit, dhe në pak javë pushtet e diskreditoi veten duke shkelur së paku dy herë aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, Kushtetutën. Po ashtu, përpjekja për të marrë vendime që nuk i takojnë, duke anashkaluar e nëpërkëmbur pushtetin legjislativ të Kuvendit, demonstron një mungesë të theksuar të respektit që ka kjo parti për demokracinë dhe për institucionet dhe procedurat demokratike”, tha zonja Ismaili.

Partia Demokratike tha se këto vendime të paligjshme përbëjnë vepër penale ndërsa i bëri thirrje prokurorisë së shtetit që të ndërmarrë hapa ligjorë.

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese gjen shkelje të Kushtetutës me vendimet e qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Më 24 mars presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës të datës 23 mars që të “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi më 31 mars të shfuqizojë vendimin e qeverisë së Kosovës dhe vendim i saj hyri në fuqi më 13 prill.

Po atë ditë ministria e Shëndetësisë shpalli masat e reja mes reagimesh të partive politike që i cilësuan si veprime kundër kushtetuese.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG