Lidhje

Kosovë: Shkon në 11 numri i viktimave dhe në 449 numri i të prekurve nga COVID-19


Autoritetet në Kosovë thanë se sot në Klinikën infektive në Prishtinë, vdiqën dy paciente të prekura nga koronavirusi.

Para dite humbi jetën një grua e lindur në vitin 1974. Ajo është nga Peja dhe sipas mjekëve vuante edhe nga sëmundje të tjera.

Në orët e pasdites humbi jetën një grua nga komuna e Vushtrrisë e lindur në vitin 1949. Ajo po ashtu sipas mjekëve vuante nga sëmundje të tjera.

Të enjten mbrëma Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi 26 raste të reja të të infektuarve më COVID-19.

Prej tyre 6 raste nga komuna e Suharekës 4 në Prishtinë, 3 raste nga komuna e Gjilanit 3 nga Lipjani, 3 raste nga komuna e Vitisë 2 raste nga komuna e Leposaviqit 2 raste nga komuna e Kamenicës nga 1 rast në Vushtrri, Podujevë dhe Shtime.

Rastet e reja e çuan në 449 numrin e të infektuarve, nga të cilët 79 janë shëruar.

Një ditë më parë në Kosovë filloi zbatimi i masave të rrepta të kufizimit të lëvizjes, i cili lejon qytetarët e moshës mbi 16 vjeçare dhe nën 65 vjeç, të dalin nga shtëpitë vetëm një herë në ditë për një orë e gjysmë për t’u furnizuar me mallra të domosdoshme.

Kufizimet e vendosura nga ministria e Shëndetësisë si pjesë e përpjekjeve për të penguar zgjerimin e infektimeve, u kritikuan nga partitë politike që i cilësuan ato si kundër kushtetuese.

Mospajtime politike në kohë pandemie

Kryesia e parlamentit të Kosovës dështoi të enjten të arrijë pajtim për të çuar përpara tri nisma ligjore që lidhen me luftimin e pandemisë.

Një prej tyre ishte projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë “COVID-19” e hedhur nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani, si rrjedhojë e kërkesave që dalin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi një vendim të qeverisë për kufizim lëvizjesh dhe vuri theksin te roli i parlamentit në ndërmarrjen e masave të duhura për të siguruar që kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, të jenë në pajtim me Kushtetutën.

Dy nisma të tjera të hedhura nga Partia Demokratike e Kosovës kishin për qëllim plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe për shqyrtimin e masave shtesë për mbrojtje nga koronavirusi.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi tha pas mbledhjes së kryesisë së parlamentit se Kosova është në krizë politike gjë që e pamundëson miratimin e ligjeve.

“Për të proceduar një projektligj si nismë legjislative që vjen nga radhët e deputetëve duhet të shkoj në qeveri për vendim, këtë e thotë rregullorja e Kuvendit të Kosovës dhe për të shkuar në qeveri për vendim është e pamundur sepse Kuvendi i Republikës së Kosovës me ma shumë se dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve ja ka hequr besimin qeverisë, pra qeveria nuk mund të jap mendim për ligje”, tha zoti Gashi duke nënvizuar se kjo krizë politike sipas tij mund të zgjidhet në dy forma.

“Forma e parë është që të kemi një qeveri të re pra partia që ka marr obligimin nga presidenti i Republikës së Kosovës të marr përsipër formimin e qeverisë nëse nuk e merr përsipër atëherë presidenti duhet të detyrohet t’i respektojë obligimet e veta kushtetuese që janë garantimi i funksionimit institucional dhe demokratik të institucioneve të Kosovës. Nëse as kjo nuk ndodh atëherë zgjidhja e fundit që janë zgjedhjet. Pra jemi në një situatë ku Kuvendi nuk mund të merr vendim për këto ligje, problem shtesë që ka ligji për ndarjet buxhetore është se sipas një vendimi të gjykatës Kushtetuese të vitit 2013 këtë nismë legjislative mund ta marr vetëm qeveria e Kosovës sepse është një prej të drejtave dhe përgjegjësive themelore të qeverisë”, tha zoti Gashi.

Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se nimsat nuk kaluan për shkak të dallimeve të thella mes subjekteve politike

“Kemi konstatuar dhe prapë po vazhdojmë ta themi se proceduralisht janë plotësuar kushtet që këto projektligje të procedohen në seancë të Kuvendit pavarësisht që për materien e këtyre projektligjeve kemi mendime të ndryshme politike, për shembull ne si grup parlamentar e dimë që proceduralisht ekziston e drejta e grupeve parlamentare për të nisur nisma të tilla por esencialisht kemi vërejtjet tona”, tha ai duke akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës si jobashkëpunuese.

“Ajo çfarë u pa gjatë zhvillimit të mbledhjes që LDK-ja respektivisht nënkryetari dhe shefi i grupit parlamentar lëshuan mbledhjen duke krijuar një atmosferë jo bashkëpunuese në mes tyre dhe grupeve parlamentare pavarësisht vullnetit dhe dëshirës tonë që të kishim një dakordim të tillë”, tha zoti Selimi.

Kosova ka mbetur pa qeveri që nga 25 marsi pas votimit të një mocioni të mosbesimit të hedhur nga Lidhja Demokratike, që ishte edhe partnere e koalicionit qeverisës. Që nga ajo kohë në Kosovë po vazhdon debati rreth rrugëdaljes nga situata e rënduar politike në kohë pandemie.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG