Autoritetet në Kosovë, konfirmuan të mërkurën edhe tetë raste të reja të të infektuarve me virusin COVID-19, duke e çuar në 71 numrin e përgjithshëm të të prekurve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se 4 raste janë nga fshati Domanek i komunës së Malishevës, 3 raste në Prishtinë dhe 1 rast në fshatin Studime e ulët të komunës së Vushtrrisë.
Të dielën u shënua viktima e parë e këtij virusi, një 82 vjeçar nga fshati Dumnicë i komunës së Podujevës, i cili sipas Klinikës Infektive në Prishtinë, vuante edhe nga sëmundje të tjera kronike.
Autoritetet paralajmëruan se dy tre javët në vazhdim pritet të jenë vendimtare për luftën kundër koronavirusit, ndërsa po u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura në përpjekje për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Aktualisht në Kosovë po zbatohen kufizime lëvizjes së qytetarëve, si masë për të penguar zgjerimin e virusit.
Vendimi i qeverisë për kufizimin e lëvizjeve nxiti reagimin e presidentit Hashim Thaçi, i cili i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretimin e tij.
Përplasjet rreth vendimit të qeverisë thelluan krizën politike në Kosovë.
Të mërkurën parlamenti u përfshi në debate gjatë shqyrtimit të një mocioni për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, që është ngritur nga Lidhja Demokratike, pjesë e koalicionit qeverisës.
Facebook Forum