Lidhje

Kosovë, nga e enjtja lehtësim masash kufizuese në Kosovë


Autoritetet në Kosovë paralajmëruan të hënën lehtësime të reja të masave kufizuese që ishin vendosur për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia në një konferencë për gazetarë tha se pas përmirësimit të situatës epidemike në Kosovë, janë plotësuar kushtet për lehtësimin e mëtejmë të masave. Lehtësimet do të jetësohen nga 28 maji.

“Ndër masat lehtësues janë edhe ato për fillimin e hapjes së objekteve fetare të cilat do të mund të hapen nga kjo e enjte pra nga data 28 maj. Nga data 28 maj gjithashtu orari për lëvizjen e qytetarët do të ndryshojë, do të largohen fashat që kemi pasur deri tani për lëvizjen e qytetarëve. Nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 21 të mbrëmjes qytetarët do të lëvizin pa kufizime. Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit, por edhe më gjerë”, tha zoti Vitia.

Ai tha se në fazën e tretë që fillon më 1 qershor parashihen masa të reja lehtësuese që do të çlirojnë edhe më shumë ekonominë. Por, ai bëri thirrje për kujdes të shtuar të qytetarëve pasi që sipas tij, virusi ende nuk është mposhtur.

“Është tejet e rëndësishme të kuptojmë kur po fillojmë në një fazë të re kur po rritet liria dhe po çlirohet ekonomia po ashtu po kalojmë në një periudhë të re të rritjes së përgjegjësisë qytetare. Virusin nuk e kemi mundur akoma prandaj nuk mund të sillemi sikurse ai nuk ekziston. Në këtë fazë të re me liri të shtuar duhet të shtojmë kujdesin dhe përgjegjësitë tonë. Maskat duhet të jenë pjesë e përditshme e jetës sonë. Mbani distancën fizike prej dy metra gjithmonë, shmangni vizitat familjare”, tha ai.

Sipas autoriteteve nga një qershori mund të priten lehëtsime të reja, përfshirë edhe hapjen e kufijve por me kontrolle të shtuara.

Deri të dielën mbrëma numri i të prekurve nga koronavirusi arriti në 1032 persona, nga të cilët 30 kanë humbur jetën, ndërsa janë shëruar 789. Mbrëmë për herë të parë që nga 13 marsi nuk është shënuar asnjë rast i ri me koronavirus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG