Lidhje

Kosovë: Rekord i ri - 141 të prekur më COVID-19


Kosova konfirmoi të martën 141 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, numri më i lartë i të konfirmuarve në një ditë që nga fillimi i pandemisë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se ky numër pasoi 397 teste dhe nga të prekurit më së shumti ka në Prishtinë gjithsej 42. Ndërkaq 30 raste janë nga komuna e Vushtrrisë, 18 nga komuna e Pejës, 11 nga komuna e Mitrovicës, 9 nga komuna e Obiliqit, 7 nga komuna e Prizrenit, 6 nga komuna e Fushë Kosovës, 5 nga komuna e Gjilanit, 4 nga komuna e Podujevës, 3 raste nga komuna e Mamushës, 2 raste në Viti dhe nga 1 rast në Kamenicë, Partesh, Kaçanik dhe Rahovec.

Vetëm në dy ditët e fundit numri i të prekurve arriti në 270 meqë të hënën u konfirmuan 129 raste të reja.

Deri të martën janë kryer 19 mijë e 312 testime dhe numri i përgjitshëm i të prekurve është 1 mijë 756 raste. Deri sot 34 veta kanë humbur jetën nga pasojat e koronavirusit.

Numri i përgjithshëm i atyre që janë shpallur të shëruar është 968, duke lënë kësosji vendin me 788 raste aktive.

Rritja e numri të të prekurve përkon me lehtësimin e masave kufizuese që ishin vendosur për të penguar zgjerimin e infektimeve.

“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa bartja e maskave mbetet obligative!”, thuhen në një njoftim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG