Lidhje

Përkeqësim i situatës me COVID-19 në Kosovë – vendosen masa të reja


Fundjava shënoi një përkeqësim të situatës me COVID-19 në Kosovë. Të shtunën autoritetet konfirmuan vdekjen e tetë personave nga pasojat e COVID-19-tës, numri më i lartë i të vdekurve në një ditë që nga shfaqja e pandemisë.

Të dielën u njoftua jozyrtarisht për viktima të reja, ndërsa policia dhe prokuroria u panë në Klinikën Infektive ku trajtohen rastet me koronavirus.

Autoritetet nuk kanë komentuar gjatë ditës zhvillimet e së dielës, ndërkaq në një njoftim për media ministria e Shëndetësisë bëri thirrje për përmbajtje në pritje të rezultateve të hetimeve nga organet përgjegjëse. Në këtë njoftim thuhet se dyshimet që nxitën fillimin e hetimeve lidhen me “vdekjet brenda një afati shumë të shkurtër kohor”.

“Ajo çka mund të konfirmohet deri në këto momente është se të gjithë këta pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikueshme të daignostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, bëjmë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t'u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”, thuhet në njoftim.

Kosovë, 8 të vdekur nga COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Ministri i Shëndetësisë, Armed Zemaj, tha përmes një postimi në rrjetin social Facebook se aktualisht vendi ka mundësi të përballet me virusin dhe se nuk ka vend për, siç tha ai, reagime histerike.

“Ata që po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë gjendje duke krijuar mjegull, për të shkaktuar sabotime në punën tonë po gabohen dhe vetëm se rrezikojnë qëllimshëm shëndetin e qytetarëve. Nuk do të lejojmë të prodhohen ngërçe në këtë luftë ndaj së cilës do të triumfojmë së bashku. Duke qenë se këto çështje janë të ndjeshme dhe mund të interpretohen saktësisht vetëm nga profesionistet e fushës, ju bëj thirrje që të mos bëhet presion mbi personelin shëndetësor dhe t’i lënë ata ta kryejnë punën e tyre, ashtu si deri më tani”, shkroi ai.

Qeveria vendosi sot masa shtesë siç është kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në komunat më të prekura nga koronavirusi, Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Vushtrri, nga ora 21 deri në orën pesë të mëngjesit.

Kryeministri Avdullah Hoti, pas një takimi me institucionet shëndetësore tha se nga nesër mbyllen edhe restorantet e kafenetë nga ora 21 deri në orën pesë.

“Nga dita e nesërme do të përcjellim në baza ditore numrin e të infektuarve në secilin qytet dhe do të përditësojmë këtë listë, do të shtojmë komuna të tjera ose do të heqim ndonjërën varësisht prej zhvillimeve. Sa i përket institucioneve do të reduktojmë numrin e të punësuarve nëpër institucione vetëm në stafin e domosdoshëm dhe në institucionet shëndetësore do të reduktohen të gjitha shërbimet që janë esenciale”, tha ai.

Kryeministri Hoti tha se në vendimin e qeverisë përfshihet edhe riorganizimi i të gjitha klinikave publike e private në funksion të përballjes me situatën e re.

“Së shpejti do të blejmë edhe shtatë aparatura të testimit, një për Institutin në Prishtinë dhe gjashtë në qendra rajonale. Do të mobilizohemi me personel shtesë në infermieri, në Klinikën Infektive si dhe sidomos në mikrobiologji. Do të krijojmë kapacitete kështu për rreth 500 teste brenda ditës. Brenda javës do të licencojmë institucionet private për të kryer teste dhe do të fillojnë procedurat për të blerë 100 mijë teste”, tha ai.

Deri të shtunën mbrëma Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi se ka arritur në 3 mijë e 356 numri i përgjithshëm të të infektuarve. Tash për tash komuna me numrin më të madh të të prekurve është Prishtina, me 843 raste, pasuar nga Vushtrria me 365 dhe Prizreni me 319 raste.

Që nga 1 qershori deri më 4 korrik janë konfirmuar 2 mijë e 273 raste përkatësisht më shumë se dyfishi i rasteve të konfirmuara nga 13 marsi deri më 31 maj.

Që nga 1 qershori është dyfishuar edhe numri i të vdekurve nga pasojat e virusit.

Heqja e kufizimeve në fillim të muajit qershor u pasua me shtim të madh të numrit të të infektuarve ndërsa autoritetet po bëjnë thirrje për zbatimin e masave mbrojtëse siç është mbajtja e maskave dhe distancimi fizik për të parandaluar zgjerimin e infektimeve.

Sipas autoriteteve numri i përgjithshëm i të shëruarve deri të shtunën mbrëma është gjithsej 1 mijë e 874 raste, kurse raste aktive mbeten 1 mijë e 416.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG