Lidhje

Përkeqësim i situatës me COVID-19 në Kosovë – arrin në 75 numri i viktimave


Të dielën mbrëma, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi 152 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi, ndërsa tha se numri i përgjithshëm i viktimave arriti në 75.

Një natë më parë numri i viktimave ishte 66 që i bie se nga e shtuna në të dielën kanë humbur jetën edhe nëntë persona, numri më i lartë në një ditë që nga shfaqja e pandemisë.

Paraditen e së dielës policia dhe prokuroria u panë në Klinikën Infektive ku trajtohen rastet me koronavirus. Autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë hollësi për arsyet e hetimeve, ndërkaq në një njoftim për media ministria e Shëndetësisë bëri thirrje për përmbajtje në pritje të rezultateve të hetimeve nga organet përgjegjëse. Në njoftim thuhet se dyshimet që nxitën fillimin e hetimeve lidhen me “vdekjet brenda një afati shumë të shkurtër kohor”.

“Ajo çka mund të konfirmohet deri në këto momente është se të gjithë këta pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikueshme të daignostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, bëjmë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t'u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”, thuhet në njoftim.

Ministri i Shëndetësisë, Armed Zemaj, tha përmes një postimi në rrjetin Facebook se aktualisht vendi ka mundësi të përballet me virusin dhe se nuk ka vend për, siç tha ai, reagime histerike.

“Ata që po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë gjendje duke krijuar mjegull, për të shkaktuar sabotime në punën tonë po gabohen dhe vetëm se rrezikojnë qëllimshëm shëndetin e qytetarëve. Nuk do të lejojmë të prodhohen ngërçe në këtë luftë ndaj së cilës do të triumfojmë së bashku. Duke qenë se këto çështje janë të ndjeshme dhe mund të interpretohen saktësisht vetëm nga profesionistet e fushës, ju bëj thirrje që të mos bëhet presion mbi personelin shëndetësor dhe t’i lënë ata ta kryejnë punën e tyre, ashtu si deri më tani”, shkroi ai.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë rastet më të reja të të prekurve janë nga: komuna e Prishtinës 57 raste, komuna e Prizrenit 16 raste, komuna e Fushë Kosovës 11 raste, komuna e Vushtrrisë 9 raste, komuna e Mitrovicës 8 raste, komuna e Gjilanit 7 raste, komuna e Drenasit 5 raste, komuna e Gjakovës 5 raste, komuna e Skenderajt 5 raste, komuna e Kaçanikut 3 raste, komuna e Lipjanit 3 raste, komuna e Obiliqit 3 raste, komuna e Pejës 3 raste, komuna e Rahovecit 3 raste, komuna e Kamenicës 2 raste, komuna e Malishevës 2 raste, komuna e Suharekës 2 raste, komuna e Vitisë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Ferizaj, Graçanicë, Klinë, Mamushë, Shtime dhe Zubin Potok.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara arriti në 3 mijë e 508. Që nga 1 qershori deri më 5 korrik janë konfirmuar 2 mijë e 425 raste përkatësisht më shumë se dyfishi i rasteve të konfirmuara nga 13 marsi deri më 31 maj.

Deri më 31 maj ishin 30 viktima, ndërsa nga një qershori deri më 5 korrik janë 45 të tjerë.

Kjo fundjave shënoi përkeqësimin e situatës. Të shtunën autoritetet konfirmuan vdekjen e tetë personave nga pasojat e COVID-19-tës, dhe 178 raste të reja të të prekurve.

Qeveria vendosi të dielën masa shtesë siç është kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në komunat më të prekura nga koronavirusi, Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Vushtrri, nga ora 21 deri në orën pesë të mëngjesit.

Kryeministri Avdullah Hoti, pas një takimi me institucionet shëndetësore tha se nga e hëna mbyllen edhe restorantet e kafenetë nga ora 21 deri në orën pesë.

“Nga dita e nesërme do të përcjellim në baza ditore numrin e të infektuarve në secilin qytet dhe do të përditësojmë këtë listë, do të shtojmë komuna të tjera ose do të heqim ndonjërën varësisht prej zhvillimeve. Sa i përket institucioneve do të reduktojmë numrin e të punësuarve nëpër institucione vetëm në stafin e domosdoshëm dhe në institucionet shëndetësore do të reduktohen të gjitha shërbimet që janë esenciale”, tha ai.

Kryeministri Hoti tha se në vendimin e qeverisë përfshihet edhe riorganizimi i të gjitha klinikave publike e private në funksion të përballjes me situatën e re.

“Së shpejti do të blejmë edhe shtatë aparatura të testimit, një për Institutin në Prishtinë dhe gjashtë në qendra rajonale. Do të mobilizohemi me personel shtesë në infermieri, në Klinikën Infektive si dhe sidomos në mikrobiologji. Do të krijojmë kapacitete kështu për rreth 500 teste brenda ditës. Brenda javës do të licencojmë institucionet private për të kryer teste dhe do të fillojnë procedurat për të blerë 100 mijë teste”, tha ai.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se deri të dielën numri i përgjithshëm i të shëruarve është gjithsej 1 mijë e 902 raste, kurse raste aktive mbeten 1 mijë e 531.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG