Lidhje

Numër rekord i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë


Autoritetet në Kosovë njoftuan të hënën për një numër rekord të rasteve të konfirmuara si të prekur me COVID-19 brenda një dite.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha gjatë një konference për media se në 24 orët e fundit janë regjistruar 276 persona të infektuar me COVID 19, ndërkaq tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi.

“Numri total i rasteve pozitive ka arritur në 7 mijë e 413, nga 34 mijë e 720 persona të dyshimtë, me gjithsej 185 raste të vdekjes të cilat kanë pasur edhe sëmundje shoqëruese. Këto raste neve na e ngrisin shkallën e vdekshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 153 pacientë derisa numri i përgjithshëm e të shëruarve deri sot arrin në 4 mijë e 27 pacientë, kurse numri i rasteve aktive është 3 mijë e 201 raste”, tha zoti Ramadani.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se për shkak të situatës së rënduar me COVID 19, autoritetet shëndetësore kanë hartuar një varg masash shtesë për të frenuar përhapjen e tij.

“Do të jenë edhe disa masa të cilat ne mendojmë që ndihmojnë luftën ndaj COVID-19 dhe e stabilizojnë situatën epidemiologjike në Kosovë. Do të ketë disa kufizime të lëvizjeve, tubimeve, takimeve, disa lirime aty ku e kemi parë që virusi nuk është prezent dhe mund të kontrollohet. Këto janë vlerësime që nëse aprovohen nga qeveria e Republikës së Kosovës do të jenë të zbatueshme nga dita e nesërme”, tha zoti Zemaj.

Aktualisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si dhe në spitalet rajonale po trajtohen 598 pacientë, 43 prej të cilëve janë në gjendje shumë të rëndë. Autoritete thanë gjatë fundjavës se Kosova ka një kapacitet prej 700 shtretërish për të trajtuar të sëmurët me COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG