Lidhje

Kosovë: 13 viktima dhe 225 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi


Kosovo/Covid-19
Kosovo/Covid-19

Autoritetet në Kosovë konfirmuan të martën se 13 veta kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar në 269 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Gjatë kësaj kohe nga 477 teste të kryera, 225 raste janë konfirmuar të prekur nga koronavirusi.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike raste e reja janë nga: komuna e Prishtinë 93 raste, komuna e Mitrovicës 16, komuna e Gjakovës 14, Gjilan 14, Fushë Kosovë 13, Drenas 9, Ferizaj 8, Lipjan 7, Pejë 7, Podujevë 7, Shtime 6, Skenderaj 5, Viti 5, Vushtrri 4, Obiliq 3, Deçan 2, Dragash 2, Malishevë 2, Rahovec 2, Suharekë 2 dhe nga një rast komunat Kamenicë, Kaçanik, Klinë dhe Novobërdë.

Numri i përgjithshëm i te prekurve që nga mesi i muajit mars është 9 mijë e 274. Prej tyre deri sot 5 mijë e 190 raste janë shpallur të shëruar, ndërsa 3 mijë e 815 mbeten raste aktive.

Në mesin e të prekurve nga koronavirusi është edhe zëvendëskryeministri Kosovës, Driton Selmanaj. Ai tha se është pa simptoma ndërsa nënvizoi se tashmë është izoluar për dy javët e ardhshme.

Zoti Selmanaj është zyrtari i dytë më i lartë brenda qeverisë që është prekur nga COVID-19.

Të dielën, edhe kryeministri Avdullah Hoti njoftoi se është prekur nga koronavirusi dhe tashmë ndodhet në izolim për dy javët në vazhdim dhe do të kryej detyrat nga shtëpia.

Edhe zyrtarë të tjerë të partive politike dhe institucioneve janë prekur nga koronavirusi.

Kosova po përballet muajve të fundit me periudhën më të rëndë shëndetësore që nga shfaqja e pandemisë, me numër të lartë të të infektuarve me COVID-19 dhe të viktimave nga pasojat e tij.

Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes dhe respektim të masave për frenimin e përhapjes së infektimeve, ndërsa policia e Kosovës bëri të ditur se brenda 24 orëve të fundit ka ndaluar 58 persona për mos respektim të masave të vendosura nga qeveria.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG