Lidhje

Kosovë, miratohet në parim projektligji për luftimin e COVID-19


Parlamenti i Kosovës me 77 vota për, miratoi të premten në lexim të parë projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Projektligji ka për qëllim të mbrojë, siç thuhet, shëndetin e qytetarëve në Kosovë dhe përcaktimin e përgjegjësive për autoritetet përkatëse në ndërmarrjen e masave për parandalimin e COVID-19 në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, që është edhe nismëtare së bashku e gjashtë deputetë e këtij projektligji tha se nëpërmjet tij do të krijohet mundësia që të luftohet pandemia përmes ligjit.

"Nëpërmjet këtij ligji presim që të krijohet edhe mundësia e shqiptimit të sanksioneve për personat fizik dhe juridik, të cilët nuk zbatojnë masat e vendosura nga ana e qeverisë. Nëpërmjet këtij ligji parashohim ndëshkime në veçanti për personat që pozitën dhe ndikimin e tyre në shoqëri e keqpërdorin për të shpërndarë dezinformata se nuk ka virus", tha zonja Osmani.

Projektligji i paraqitur që në fillim të shfaqjes së COVID-19 në Kosovë ishte përballur me kundërshtime nga disa parti politike. Por, të premtën projektligji u mbështet nga të gjitha partitë politike.

Autoritetet në Kosovë deri më tash kanë përdorur ligje të ndryshme për të vendosur masa kufizuese për qytetarët për të parandaluar përhapjen e virusit.

Autoritetet konfirmuan të premtën se 3 veta kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar në 303 numrin e përgjithshëm të viktimave.

Gjatë kësaj kohe nga 463 teste të kryera, 181 raste janë konfirmuar të prekur nga koronavirusi.

Kosova filloi edhe muajin gusht me numër të lartë të të infektuarve me COVID-19 dhe raste te vdekjeve nga pasojat e tij. Numri i të infektuarve ka mbërritur në 9 mijë 869 veta.

Kjo çështje ishte edhe pjesë e debatit në seancën e parlamentit të Kosovës, gjatë së cilës ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se institucionet po bëjnë përpjekje që të mbajnë nën kontroll situatën me koronavirusin.

“Ne po shkojmë çdo ditë rreth stabilizimit të kësaj situate edhe më duhet të jem i sinqertë nuk mund të presim efekt të menjëhershëm qoftë të numrit apo edhe të rasteve që përfundojnë me fatalitet. Çdo ditë është e ndryshme por është duke ecur në perspektivë më të mirë. Zgjerimi i kapaciteteve tona testuese edhe në nvilein publik por edhe në nivelin të sektorit privat do të na mundësojë një mundësi shtesë në përballje me pandeminë COVID-19 dhe pjesa tjetër domosdoshmërisht që lidhet me zgjerimin e kapaciteteve të infrastrukturës”, tha ministri Zemaj.

Por, shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, Rexhep Selimi, akuzoi qeverinë për mos menaxhim të mirë situatës që sipas tij ka dal jashtë kontrollit.

“Shifrat janë alarmante, statistikat janë statistika lufte, njerëzit po vdesin jo vetëm sepse janë të infektuar por edhe sepse nuk po u ofrohet ndihmë nga qeveria, me gjithë përkushtimin e punonjësve shëndetësorë edhe ata kanë mbetur si ushtar të braktisur në front të rrezikuar po aq sa edhe pacientët. Spitalet tashmë nuk mund të pranojnë të infektuarit”, tha zoti Selimi.

Autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes pasi që sipas tyre spitalet e Kosovës po përballen me mbingarkim të kapaciteteve pasi që aktualisht Kosova ka rreth 700 shtretër për të trajtuar të sëmurët me COVID-19.

Deri më tash qeveria e Kosovës ka miratuar një sërë masash përmes të cilave synohet frenimi i përhapjes së COVID-19. Por, shqetësim sipas tyre mbetet menaxhimi i situatës shëndetësore dhe asaj ekonomike, e cila që nga fillimi i pandemisë është përballur me rënie të madhe të të hyrave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG