Lidhje

Situata me COVID-19 në Kosovë: 14 viktima e 555 raste të reja


Në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se 14 veta kanë humbur jetën në 24 orët e fundit nga pasojat e koronavirusit.

Po gjatë kësaj periudhe janë kryer 1 mijë e 340 teste dhe 555 janë konfirmuar si të prekur nga COVID-19.

Prishtina prinë me numrin më të lartë të të infektuarve. Gjatë 24 orëve të fundit në kryqet janë konfirmuar 327 raste.

Rastet e reja e çuan në 40 mijë e 672 numrin e përgjithshëm të të prekurve në Kosovë dhe në 1 mijë e 40 numrin e atyre që kanë humbur jetën.

Po gjatë 24 orëve të fundit, janë shpallur të shëruar 324 veta duke e çuar në 20 mijë e 910 numrin e përgjithshëm të të shëruarve. Ndërkaq 13 mijë e 722 raste mbeten aktive.

Situata me pandeminë ka bërë që autoritetet të mbajnë në fuqi masa kufizuese ndërsa të mërkurën kryeministri Avdullah Hoti u bëri thirrje organeve të rendit për mbikëqyrje të rreptë të zbatimit të atyre masave.

Aktualisht në komunat me rrezikshmëri të lartë, që numërojnë mbi 150 persona të infektuar për 100 mijë banorë, ndalohet çdo lëvizje e personave fizikë jashtë shtëpive të tyre, nga ora 19 deri në orën 05:00.

Mbyllja e vendit dhe kufizimet për parandalimin e përhapjes së infektimeve kanë ndikuar në rënien ekonomike, duke shtuar thirrjet për ndërhyrjen e shtetit.

Të mërkurën Komisioni për Buxhet në parlamentin e Kosovës miratoi rekomandimet për projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Me 12 tetor me 64 vota të parlamentit 120 vendësh u miratua në lexim të parë projektligji për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë së Covid-19.

Votimi u bojkotua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë. Partia Demokratike tha të mërkurën se do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për miratimin e projektligjit pasi që partitë në pushtet u pajtuan të përfshijë propozimet e saj.

Kjo parti kërkon që të paguhen nga buxheti i Kosovë për periudhën tetor - dhjetor 2020, pagat e punonjësve në sektorin privat, të cilët si pasojë e pandemisë janë larguar apo pezulluar nga puna. Mes propozimeve të saj është edhe kërkesa që paratë e tërhequra qytetarët që kanë kursime pensionale deri në 10 mijë euro, të kompensohen duke filluar nga viti 2023.

Projektligji i miratuar në tetor ishte hedhur shtatë herë në votim.

I miratuar nga qeveria e Kosovës me 22 korrik, projektligji parasheh një mbështetje për bizneset e vendit në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh dhe do të jetë në fuqi deri në dhjetor të vitit të ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG