Lidhje

Kosova me numër rekord të të prekurve nga koronavirusi në 24 orë


Në Kosovë autoritetet thanë se 12 persona humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e koronavirusit. Po gjatë kësaj periudhe janë konfirmuar 975 raste të reja të të prekurve, që është numri më i lartë që nga fillimi i vitit.

Këto të dhëna, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pasuan mbi 5 mijë testime.

Rastet e fundit e çuan në 91 mijë e 405 numrin e përgjithshëm të të prekurve dhe në 1 mijë e 884 numrin e atyre që human jetën nga pasojat e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas institutit, janë shpallur të shëruar 893 veta duke e çuar në 75 mijë e 647 numrin e përgjithshëm të të shëruarve, ndërsa 13 mijë e 874 mbetet numri i rasteve aktive.

Muaji që sapo e lamë pas ishte periudha me numrin më të lartë të të prekurve. Gjatë marsit janë konfirmuar 21 mijë e 200 veta të prekur nga koronavirusi, ndërsa 273 veta kanë humbur jetën.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha të enjten se situata me pandeminë është shqetësuese dhe nuk përjashtoi mundësinë e masave shtesë për frenimin e zgjerimit të infektimeve.

Gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, të dy zyrtarët thanë se pandemia ka përkeqësuar situatën, përveç në rrafshin shëndetësor edhe në atë ekonomik e social.

Ambasadori amerikan tha ndërkaq se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë me qeverinë e Kosovë në betejën kundër COVID-19, duke bërë thirrje për respektim të masave parandaluese dhe vaksinim.

Kosova është vendi i fundit në rajon që filloi vaksinimin e qytetarëve. Në fillim të javës ajo nisi vaksinimin në shkallë të gjerë kundër COVID-19 pas marrjes së dozave të para të vaksinës AstraZeneca nga programi Covax. Ajo mori të dielën 24 mijë dozat e para të vaksinave në kuadër të këtij programi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Deri në muajin maj pritet të arrijnë edhe 76 mijë doza të vaksinave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG