Autoritetet në Kosovë konfirmuan të martën se gjatë 24 orëve të fundit, pesë persona kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19. Po ashtu brenda 24 orëve janë konfirmuar 1 mijë e 765 raste të reja të të prekurve nga virusi, që është dita me numrin më të madh të të infektuarve gjatë këtij viti.
Infektimet janë shtrirë gjithandej Kosovës dhe shifrat e ditëve të fundit e bëjnë gushtin një nga periudhat më të rënda që nga shpërthimi i pandemisë.
Që nga një gushti deri më sot janë konfirmuar mbi 10 mijë te prekur.
Ajo që bie në sy gjatë ditëve të fundit është se më të prekurit janë të moshave 20 deri në 29 vjeç. Autoritetet shëndetësore thonë se pjesa më e madhe janë të prekur nga varianti ngjitës Delta i koronavirusit dhe po bëjnë thirrje për vaksinim në masë.
Përkeqësimi i situatës me COVID-19 në Kosovë ka bërë që Departamenti amerikan i Shtetit të këshillojë qytetarët amerikanë që të “rishqyrtojnë” planet për udhëtim në Kosovë, një këshillë kjo edhe për ata që duan të udhëtojnë në Maqedoninë e Veriut.
Departamenti i Shtetit ka përfshirë ndërkaq Malin e Zi në grupin e vendeve ku nuk duhet të udhëtohet.
Autoritetet në Kosovë do të rishqyrtojnë masat kufizuese për të parandaluar zgjerimin e mëtejmë të infektimeve dhe të mërkurën qeveria pritet të miratojë propozimet e ministrisë së Shëndetësisë për këto masa.
Ministri Arben Vitia tha se do të diskutohet “që të mbyllën për një kohë klubet e natës, të reduktohet orari dhe aktiviteti i gastronomisë derisa do të propozojmë edhe një zgjidhje rreth dasmave me disa kufizime të reja për shkak të rezervimeve të mëhershme që i kanë bërë qytetarët tanë. Arsyeja pse masat kufizuese do të ndërmerren në këta sektorë është se shpërndarja më e madhe e virusit është evidente që po vjen nga grumbullimet e mëdha në hapësira të mbyllura dhe nga mos respektimi i masave në fuqi”.
Ai tha se njëkohësisht po punohet për shtimin e kapaciteteve në spitalet për t’u përballur me kërkesat për trajtim. Në këtë kuadër ai tha se “do të rekrutohen 1 mijë punonjës shëndetësorë”.
Masat, nëse miratohen do të jenë në fuqi deri më 1 shtator dhe mund të ndryshojnë varësisht nga situata epidemiologjike.
Që nga marsi i vitit 2020 deri sot Kosova ka konfirmuar 118 mijë e 752 raste me COVID-19, dhe 2 mijë e 286 viktima të kësaj sëmundjeje.
Facebook Forum