Lidhje

CPJ kërkon mbrojtjen e RTK-së dhe drejtorit Shala


Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli ne New York, dënoi sulmin e 28 gushtit në shtëpinë e drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës, Mentor Shala dhe u bëri thirrje autoriteteve që ta mbrojnë atë nga kërcënimet e vazhdueshme për jetën e tij.

Organizata e themeluar në vitin 1981 më synimin për të nxitur lirinë e medies dhe mbrojtjen e gazetarëve, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që "sa më shpejtë dhe në mënyrë efektive të hetohet sulmi dhe kërcënimet e vazhdueshme kundër Mentor Shalës dhe transmetuesit publik, që përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe të ofrohet siguri personale për zotin Shala dhe punonjësit e tij".

Bashkërenduesja e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve për Evropën dhe Azinë Qendrore, Nina Ognianova tha që "nëse ata që kërcënuan dhe provuan të frikësojnë Shalën, ia dalin, atëherë gazetarët do të mund të përballen me dhunë të mëtejshme".

Një shpërthim ndodhi më 28 gusht në pjesën e pasme të shtëpisë së drejtorit Shala në një lagje periferike të Prishtinës, por pa pasoja në njerëz. Shpërthimi pasoi një sulm tjetër që kishte ndodhur disa ditë më parë në pjesën e pasme të Radiotelevizionit të Kosovës, po ashtu pa dëme në njerëz.

Një grup që veten e quante "Rugovasit", mori përsipër përgjegjësinë. Në një mesazh elektronik dërguar medieve lokale, grupi theksonte se "sulmi ndaj Mentor Shalës është vetëm paralajmërim", duke e akuzuar atë për mbulim të njëanshëm të debateve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, që çoi në krizë të thellë politike në Kosovë.

Grupi kishte marrë përsipër edhe një sulm në fillim të muajit gusht në ndërtesën e parlamentit të Kosovës.

Të martën policia e Kosovës tha se kishte arrestuar gjashtë persona nën dyshimin për sulmin mbi ndërtesën e parlamentit. Autoritetet thanë se gjatë kontrolleve në shtëpitë e të arrestuarve, që të gjithë veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, “janë konfiskuar gjashtë armë zjarri: tri pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municione, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin”.

Policia tha se hetimet kanë nxjerrë në pah se të dyshuarit kanë dërguar komunikata për marrjen e përgjegjësisë për sulmet e ditëve të fundit me emrin e Rugovasit.

Lëvizja Vetëvendosje tha se arrestimi i veprimtarëve të saj "është akt klasik i përndjekjes së kundërshtarëve politik".

“Policia e filloi atë që e kishte filluar dje Radio Televizioni I Kosovës ose tash e ca ditë, të montimit të rasteve të sulmeve të fundit ndaj aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje. Këto metoda, këtë lidhje polici, media dhe pushtet nuk është se po e shohim për herë të parë sot, është saktësisht e njëjta metodë që e përdorte UDB-ja (shërbimi i dikurshëm shtetëror jugosllav i sigurimit) dikur dhe që e ka përdorur SHIK-u (ish Shërbimi Informativ i Kosovës) tash e sa kohë në Kosovë”, tha kryetari i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri.

Udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje thanë se armët e konfiskuara nga ana e policisë nuk kanë të bëjnë asgjë me sulmet për të cilat po dyshohen veprimtarët e saj.

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Më 1 shtator parlamenti i Kosovës pritet të debatojë ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG