Lidhje

Dënohet kërcënimi i veprimtares humanitare


Në Kosovë, është dënuar gjerësisht kërcënimi me vdekje i veprimtares Nazlie Bala, pas angazhimit të saj në mbrojtje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Përfaqësues institucionesh e organizatash vendase e ndërkombëtare, dënuan gjerësisht një porosi kërcënuese drejtuar kundër veprimtares së lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala.

Kërcënimi me tekstin “mos e mbrojë turpin, se të pret plumbi", ishte vënë në derën e banesës së zonjës Bala, pak ditë pas paraqitjes së saj publike në mbrojtje të ndryshimeve të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

Parlamenti i Kosovës miratoi mes debatesh të rrepta këto ndryshime që synonin trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kërcënimi ndaj veprimtares Balaj u dënua sot nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili nëpërmjet në komunikate për opinion thekson se “të gjithë qytetarët e Kosovës me sakrificën dhe përkushtimin e tyre të madh me dekada të tëra kanë kontribuar për të ndërtuar shtetin e lirë, të pavarur dhe demokratik të Kosovës. Bazuar në këtë sakrificë dhe në këtë vizion të realizuar, për qeverinë e Kosovës është i papranueshëm dhe i dënueshëm cenimi i lirisë së shprehjes dhe i jetës së secilit qytetar të vendit”.

Ai kërkon nga organet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme, që kryesit e këtij akti të kërcënimit të përgjigjen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Kërcënimi është dënuar edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Në reagimin e saj thuhet se “gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet me vdekje nuk i takojnë Kosovës e cila qartazi është përkushtuar ndaj vlerave evropiane për të drejtat e njeriut. Njerëzit që u dërgojnë kërcënime me vdekje veprimtarëve për të drejtat e njeriut, punojnë kundër Kosovës dhe vlerave të saj evropiane”.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International është shprehur “e shqetësuar dhe e tronditur nga kërcënimet e fundit që i janë bërë veprimtares për të drejtat e njeriut, Nazlie Bala në Kosovë”, ndërsa u ka bërë thirrje kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë që publikisht ta dënojnë këtë kërcënim.

Në Kosovë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, krahas dënimit kërkon që organet e hetuesisë të ndërmarrin veprime të shpejta për hetimin e këtij rasti si dhe sjelljen e përgjegjësve para organeve të drejtësisë. Këshilli kërkon po ashtu që zonja Balaj të merret në mbrojtje nga policia e Kosovës në mënyrë që të parandalohet ndonjë veprim i dhunshëm ndaj saj.

Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq ka theksuar se kërcënimet e tilla nuk do të ndalin përpjekjet për të siguruar trajtim institucional për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Futja e kategorisë së personave të dhunuar gjatë luftës në ligj, do të kontribuonte në rehabilitimin e këtyre viktimave dhe do t’ua mundësonte qasjen në drejtësi. Prandaj, kushdo që ka kryer këtë akt të shëmtuar të kërcënimit është dashakeqës ndaj kësaj kategorie dhe i kontribuon drejtpërdrejt fshehjes së krimeve ndaj popullatës civile”, thuhet ne reagimin e kësaj lëvizjeje”.
XS
SM
MD
LG