Lidhje

Zgjatet afati i zbatimit të plotë të përdorimit të kodit të ri telefonik në Kosovë


Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Postare dhe Elektronike (ARKEP), tha të hënën se ka shtyrë për datën 31 tetor afatin e zbatimit të kodit të ri telefonik të Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2016 Kosova u me kod telefonik ndërkombëtar, 383, i cili i është ndarë nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, që është agjencia e Kombeve të Bashkuara për bashkërendimin e shërbimeve të telekomunikacionit në botë.

Zbatimi që filloi në vitin 2017, synohej të përmbyllej deri më 1 qershor të këtij viti.

Por ARKEP-i tha e ka vendosur të zgjasë afatin "pas shqyrtimit të kërkesave të operatorëve për kohë shtesë për përfundimin të këtij procesi".

Në vendim thuhet se ”më së voni deri më datë 31 Tetor 2018 duhet të përfundojë në tërësi implementimi i kodit +383 në rrjetet e telefonisë mobile dhe ndërpriten kodet tjera". Po ashtu në vendim thuhet se "obligohen operatorët, të cilët nuk e kanë përfunduar implementimin e kodit +383 në rrjetet e telefonisë fikse që brenda afatit kohorë prej 30 ditëve të përfundojnë këtë proces".

Aktualisht Kosova shfrytëzon kodin telefonik 381 që ishte pronë e ish federatës jugosllave e më pas u trashëgua nga Serbia, për telefoninë tokësore, ndërsa kodet e Sllovenisë 386 dhe të Monakos 377 për telefoninë celulare.

Marrëveshja për kodin telefonik ishte arritur në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas marrëveshjes një kompani e re serbe e regjistruar në Kosovë dhe sipas ligjeve të saj, "do të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë celulare".

Në Kosovë opozita vazhdimisht ka kritikuar qeverinë lidhur me marrëveshjen e për kodin telefonik, meqë sipas përfaqësuesve opozitarë me këtë marrëveshje Serbisë i njihen përgjegjësi në qeverisjen me telekomin e Kosovës. Por qeveria e ka mbrojtur një marrëveshje të tillë duke pohuar se do të shuaj të gjithë operatorët e paligjshëm të Serbisë që kanë vepruar në Kosovë, ndërsa do t'i jepet një leje e përkohshme një operatori serb që do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Autoritetet thonë se, përfitimet ekonomike janë të mëdha, pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, për shkak të mungesës së kodit, që deri tash i ka kushtuar Kosovës mbi 200 milionë euro.

Kosova, e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 dhe Serbia që e kundërshton ashpër atë, janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Këto bisedime i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në.

Bisedimet çuan në një varg marrëveshjesh, pjesa më e madhe të vilave nuk janë zbatuar, ndërsa ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, çoi në një krizë politike në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG