Lidhje

Kosovë: 24 komuna në rrethin e dytë të zgjedhjeve


Sipas rezultateve paraprake, dhjetë komuna tashmë kanë zgjedhur kryetarët e tyre. Ende e paqartë çështja e votimeve në veri të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës për pushtetin komunal në Kosovë.

Në bazë të rezultateve paraprake ku nuk janë përfshirë votat nga komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe dhe aa votat e hedhura me kusht, 24 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarët e tyre, meqë nuk kanë siguruar shumicën e domosdoshme.

Ndërkaq në dhjetë komuna të Kosovës, kryetarët janë zgjedhur që në raundin e parë të votimeve.

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, kanë qenë të vlefshme edhe për zgjedhjen e deputetëve të kuvendeve komunale.

Votimet në veri u dëmtuan nga incidentet e së dielës mbrëma, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit në disa vendvotime në veri të Mitrovicës, duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të materialeve para se të vendosë nëse votimet në veri janë të vlefshme, nëse do të ketë votim të pjesshëm apo do të ketë zgjedhje tërësisht të reja në veriun e Mitrovicës.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave pritet të zhvillohet më 1 dhjetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pohon se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte për 100 mijë votues më e lartë sesa zgjedhjet e kaluara. Gjithsej 814 mijë e 780 votues apo 45 për qind e mbi 1 milion e 700 mijë votuesve të regjistruar morën pjesë në votime.
XS
SM
MD
LG