Lidhje

Zgjedhjet ndryshuan gjeografinë politike të Kosovës


Raundi i dytë i zgjedhjeve për pushtetin komunal në Kosovë, duket se ka ndryshuar gjeografinë e saj politike. Rezultatet paraprake të këtyre zgjedhjeve që u mbajtën në 25 komuna, flasin për ndryshime pushtetesh.

Në Prishtinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, fitoi në konkurrencë me kandidatin e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, që është edhe kryetar i kësaj partie dhe e cila ka udhëhequr Prishtinën që nga zgjedhjet e para të pasluftës që janë mbajtur në vitin 2000.

Lidhja Demokratike fitoi në Gjilan, duke lënë prapa Partinë Demokratike dhe në Pejë, duke lënë prapa Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Konkurrencë e ashpër është zhvilluar edhe në Gjakovë, ku Mimoza Kusari - Lila nga Aleanca Kosova e re fitoi në konkurrencë me kryetarin e deriatshëm të kësaj komune Pal Lekaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Mitrovicë, Aleanca Kosova e Re e afaristit Behgjet Pacolli, la prapa Partinë Demokratike. Kjo e fundit humbi Ferizajn dhe Lipjanin që u fituan nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nga dhjetë komuna me shumicë serbe, pjesën më të madhe i ka fituar Nisma qytetare serbe e mbështetur nga Beogradi, ndërsa vetëm komunën e Shtërpcës në jug të Kosovës e ka fituar kandidati i Partisë Liberale serbe, që është pjesë e qeverisë së Kosovës.

Rreth 40 për qind e mbi një milion e 300 mijë qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në votimet e së dielës.

Rreth dy mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën votimet dhe sipas tyre nuk janë regjistruar incidente të një shkalle që mund të dëmtonte procesin. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se parregullsitë janë shumë më të pakta sesa në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën më tre nëntor.

Vëzhguesit ndërkaq thanë se janë përsëritur parregullsitë tradicionale, siç janë votimet familjare, përpjekjet për votim të dyfishtë, listat e pa pastruara te votimeve etj. Edhe mekanizmat e sigurisë thanë se nuk janë regjistruar incidente të mëdha, ndërsa Prokuroria e Shtetit tha se janë arrestuar gjashtë persona për tentim pengimi të procesit zgjedhor.

Forca të mëdha të sigurisë përcollën votimet në veriun e Mitrovicës të banuar me shumicë serbe.

Kjo ishte hera e tretë që votohej në këtë zonë. Votimet e tre nëntorit u anuluan për shkak të incidenteve të dhunshme ndërsa rezultatet e rivotimeve të 17 nëntorit, vunë përballë në raundin e dytë, Nismën Qytetare SDP të drejtuar nga Oliver Ivanoviç dhe Nismën qytetare serbe të drejtuar nga Kërstimir Pantiç dhe të mbështetur nga Beogradi zyrtar.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që është përfshirë në lehtësimin e zgjedhjeve në veri, është shprehur i kënaqur me ecurinë e procesit.

Zgjedhjet e sivjetme për pushtetin komunal janë të parat në të cilat janë përfshirë edhe komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Përfshirja e tyre ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në prill të këtij viti në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Pas zgjedhjeve atje pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe me një shkallë të gjerë autonomie.

Beogradi i cili mbështetë Nismën qytetare serbe në këto zgjedhje i ka siguruar serbët se më pushtetin komunal në veriun e Kosovës ata do të ruajnë lidhjet e tyre me Serbinë, ndërsa Prishtina i sheh zgjedhjet si hapin e parë të rëndësishëm drejt integrimit të asaj zone ku ende nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG