Lidhje

Rinumërohen votat në Prishtinë e Prizren


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vendosi rinumërimin e të gjitha votave në Prishtinë dhe Prizren si dhe rinumërim të pjesshëm për tri komuna të tjera.

Vendimi pasoi kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Partisë Demokratike të Kosovës për rinumërim në Prizren, të cilat kanë kërkuar që të rivlerësohen fletëvotimet e pavlefshme, fletëvotimet bosh kutitë e votimit dhe të rinumërohen të gjitha fletëvotimet e rregullta.

Debatet rreth mundësisë së manipulimeve pasuan rezultatet paraprake që dëshmuan një dallim të ngushtë ndërmjet kandidatëve në Prishtinë dhe Prizren.

Vendimi për rinumërim nxiti reagimin e lëvizjes Vetëvendosje, sipas së cilës ky është një vendim i papranueshëm. Kandidati i lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se është e çuditshme të shkohet në rinumërim pa u numëruar të gjitha votat përfshirë edhe ato me kusht.

“Është e çuditshme se si në dy komunat ku ka fituar Vetëvendosje urdhërohet rinumërim i tërësishëm i komunave. Kërkojmë nga Qendra për Numërimin e Rezultateve të vazhdohet numërimi i votave nga diaspora dhe atyre me kusht. Nëse pas numërimit ka ankesa dhe vlerësohet se duhet rinumërimi, le të veprojnë organet. Por, secili vendim tjetër është i papranueshëm për neve”, tha zoti Ahmeti.

Edhe koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, që ka vëzhguar zgjedhjet, reagoi ndaj vendimit. Në një komunikatë të kësaj organizate thuhet se “gjatë vëzhgimit të procesit të votimit dhe numërimit në ditën e zgjedhjeve për raundin e dytë për kryetarë të komunave, nuk ka evidentuar parregullsi serioze apo mospërfillje të procedurave zgjedhore të cilat mund të dëmtonin procesin apo të devijonin votën e qytetarëve”.

Sipas këtij koalicioni, vendimi është i habitshëm. “Pavarësisht asaj që disa vende praktikojnë rinumërimin në rast të diferencës së ngushtë të rezultateve, një praktikë të tillë nuk e parasheh legjislacioni i Kosovës. Vendimet pa bazë të mjaftueshme mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve, të cilat nga të gjithë u cilësuan si ndër proceset më të mira zgjedhore në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Demokracisë në Veprim.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në Prishtinë kryeson kandidati i lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, me rreth 240 vota më shumë se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, por pa numëruar edhe mbi 1 mijë e 500 vota të hedhura me kusht dhe nëpërmjet postës.

Edhe në Prizren, kandidati i lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, prinë me rreth 400 vota më shumë se kandidati i Partisë Demokratike, Shaqir Totaj, por pa numëruar edhe rreth 1 mijë e 400 vota të hedhura me kusht dhe nëpërmjet postës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG