Lidhje

Kosovë: Lista serbe fiton zgjedhjet në Graçanicë


Në këtë komunë me shumicë serbe afër Prishtinës u mbajtën zgjedhje të jashtëzakonshme për postin e kryetarit.

Rezultatet paraprake të zgjedhjet të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Graçanicës, një komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, dëshmojnë se fitues është kandidati i Listës serbe, një subjekt politik i themeluar dhe i mbështetur nga Beogradi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se kandidati i këtij subjekti, Vladeta Kostiç fitoi 65 për qind të votave, në zgjedhjet e së dielës në të cilat morën pjesë rreth 37 për qind e mbi 20 mijë qytetarëve me të drejtë vote. Mbi 300 vëzhgues ndoqën procesin e votimeve dhe sipas tyre janë shënuar parregullsi që nuk ndikojnë në tërë procesin e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme pasuan dorëheqjen e kryetarit të deritashëm të komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviç, i cili në fillim të muajit dhjetor mori postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Ai ishte zgjedhur në votimet e dhjetorit të vitit 2013 në postin e kryetarit të Gracanicës si pjesëtar i “Listës Serbe”, një subjekt politik që mbështetet nga Beogradi dhe i cili ka fituar nëntë nga dhjetë vendet e ndara për komunitetin serb në parlamentin e Kosovës.

Ky subjekt fitoi në të gjitha komunat në veriun e Kosovës, të cilat për herë të parë morën pjesë në zgjedhjet për pushtetin lokal të organizuara nga Prishtina.

Kjo që bërë e mundur me marrëveshjet e prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve e ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në përpjekje për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët evropian i kanë kërkuar Serbisë të punojë më shumë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel para se të fillojë hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim.

Në fillim të muajit shkurt, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen në Bruksel për vazhdimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ku një vend të veçantë pritet të zënë diskutimet për zbatimin e marrëveshjeve që parashohin mes tjerash, shpërbërjen e strukturave të mbështetura nga Beogradi.

XS
SM
MD
LG