Lidhje

Jahjaga: Kosova kaloi sprovën e zgjedhjeve


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga vlerësoi lartë ecurinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 8 qershorit janë mbajtur në një atmosferë të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore. Nëpërmjet një deklarate ajo përgëzon qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe ndihmesën për mbarëvajtjen e tyre demokratike.

Parregullsitë eventuale janë duke u shqyrtuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për t'u siguruar se vota e lirë e qytetarëve dhe vullneti e tyre politik është garantuar”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga, e cila vlerëson përkushtimin dhe angazhimin e partive e subjekteve politike, si dhe të të gjithë kandidatëve që kanë kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Presidentja Jahjaga vlerëson angazhimin e vëzhguesve vendas e ndërkombëtar, “përfshirë Misionin Vëzhgues të Bashkimit Evropian, që ka vëzhguar me kujdes gjithë procesin, duke i dhënë edhe legjitimitet ndërkombëtar zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend”. Ajo ka falënderuar edhe Misionin e OSBE-së, atë të EULEX-it si dhe KFOR-in për mbështetjen e tyre në sigurimin që të gjitha komunitetet në Kosovë të marrin pjesë në këto zgjedhje në një mjedis të qetë dhe të sigurt.

Kosova dhe qytetarët e saj e kaluan me dinjitet dhe me maturi këtë sprovë në konsolidimin e shtetit tonë. Në ditët në vijim, është me rëndësi që të dëshmojnë të njëjtin përcaktim dhe të kontribuojnë në përmbylljen e këtij procesi demokratik, qenësor për të ardhmen e vendit tonë”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.
XS
SM
MD
LG