Lidhje

Kosovë, blloqe koalicionesh parazgjedhore


Partitë politike në Kosovë u dhanë fund përpjekjeve të tyre për të nënshkruar koalicione të gjera parazgjedhore, një gjë e pazakontë deri në këto zgjedhje. Në mesnatë kaloi afati i dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për regjistrimin e koalicioneve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit si koalicione.

Si asnjëherë më parë përgatitjet për këto zgjedhje çuan në krijimin e blloqeve të mëdha politike.

Partia Demokratike e Kosovës arriti marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën për Kosovën dhe disa parti të tjera të vogla për të krijuar një koalicion të gjerë për zgjedhjet e 11 qershorit. Kandidat për kryeministër i këtij koalicioni do të jetë Ramush Haradinaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkaq është përfshirë në koalicion parazgjedhor me dy parti politike, me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe Alternativën e drejtuar nga Mimoza Kusari – Lila. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, aktualisht kryeministër në largim, ka vendosur të mos përfshihet as në listën zgjedhore, ndërsa ka caktuar si kandidat për kryeministër ministrin e tij e deritashëm të financave, Avdullah Hoti.

Ndërsa, lëvizja Vetëvendosje do të konkurrojë në këto zgjedhje e vetme, pa koalicione dhe kandidat i saj për postin e kryeministrit pritet të jetë Albin Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme pasuan rënien e qeverisë së Kosovës dhe prishjes së koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat për dy vjet e gjysmë udhëhoqën me vendin. Qeveria ra pas votimit të një mocioni të mosbesimit ndaj saj që ishte iniciuar nga Nisma për Kosovën.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar dhjetë ditë fushatë zgjedhore për partitë politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG