Lidhje

Kosovë: Certifikohet lista zgjedhore e lëvizjes Vetëvendosje por pa Albin Kurtin


Në Kosovë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, refuzoi kërkesat e partive politike për t’i certifikuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit të kandidatëve që janë të dënuar për vepra penale gjatë tri viteve të fundit.

Ky panel tha se ka certifikuar të gjitha subjektet politike që kanë ngritur ankesa por jo edhe kandidatët e dënuar.

Në një njoftim të këtij paneli, thuhet se ai ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos certifikimin e kandidatëve të lëvizjes Vetëvendosje: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi Murtezi dhe se ata sipas vendimit nuk mund të zëvendësohen me kandidatë tjerë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar që të certifikojë 12 kandidatë për deputetë të Nismës Socialdemokrate: Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, FIlloreta Bytyçi, Valentina Alijaja, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Adrian Nokaj.

Po ashtu paneli ka refuzuar certifikimin e katër kandidatëve për deputetë të listës zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati.

Mos certifikimi i kandidatëve të partive politike është bërë në bazë të nenit 29 të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton përshtatshmërinë e kandidatëve për t’u certifikuar.

PZAP tha se “dispozita ligjore e nenit 29 të ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është fuqizuar në atë masë sa që tani një dispozitë e tillë rangohet në normë kushtetuese apo standard kushtetues”.

Ky kriter u vendos pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së qeverisë në largim. Debatet rreth kandidaturave ishin përqendruar kryesisht tek zoti Kurti, pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti, që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

Partitë politike tashmë kanë afat prej 24 orësh që të ankohen në Gjykatën e Lartë, e cila duhet të marr vendim brenda 72 orësh.

Deri më 31 janarit duhet të përfundojnë të gjitha procedurat e certifikimit, para hedhjes së shortit për renditjen e partive politike në fletëvotime.

Vetëvendosje kritikon PZAP-në

Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi “absurd”, vendimin e PZAP-së.

Në një komunikatë të kësaj lëvizjeje thuhet se ai “veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë. Të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përmbyllur pa pasoja juridike. Pra, praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj. E kjo as është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik”, thuhet mes tjerash në komunikatë, në të cilën theksohet se “kjo padrejtësi e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik”.

Ndërkohë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëroi një ankesë në Gjykatën e Lartë.

28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG