Lidhje

Zgjedhjet vendore në Kosovë; më shumë se gjysma e komunave shkojnë në balotazh


Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore të së dielës në Kosovë tregojnë se në 21 nga 38 komunat e vendit do të ketë një raund të ri zgjedhjesh, meqë asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në raundin e parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se 42.5 për qind e rreth 1 milion e 890 mijë votuesve të regjistruar, shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar. Zyrtarët e këtij komisioni thanë se nuk ka pasur vështirësi në rrjedhën e procesit.

Konkurrenca më e fuqishme është zhvilluar në qytetet më të mëdha përfshirë Prishtinën, ku Lëvizja Vetëvendosje do të përballet në raundin e dyte me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e së dielës është vendosur edhe për deputetët e kuvendeve komunale.

Fitore Pacolli, nga lëvizja Vetëvendosje, tha se kjo lëvizje do të fitojë në qytetet e mëdha të Kosovës.

Rezultatet finale do të qartësojnë fuqishëm rritjen e paprecedentë të lëvizjes Vetëvendosje në raport me zgjedhjet e fundit për nivelin lokal, ku numri përfundimtar pritet të dyfishohet”, tha zonja Pacolli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha tha se subjekti i tij tashmë ka fituar në pesë komuna në raundin e parë ndërsa është në garë edhe në shtatë komuna të tjera.

Në këto zgjedhje, qytetarët kanë thyer barrierat politike dhe kanë përkrahur kandidatët dhe programin që ka adresuar nevojat e tyre. E natyrisht, PDK-ja është e para këtu. Qytetarët treguan se asnjë propagandë, asnjë manipulim populist, nuk mund ta mposhtë të vërtetën dhe të mirën. Sot, qytetarët treguan edhe një gjë, pakënaqësinë e madhe të tyre me punën e qeverisë së Albin Kurtit, qysh në tetë muajt e parë të kësaj qeverie”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij kryeson, ose është në garë në 11 komuna të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës këtë mbrëmje të 17 tetorit e sheh si një natë e datë të rikthimit të madh, e paralajmëruar që disa kohë. Ky rikthim për secilin nga ne është arritje, por mbi të gjitha, është përgjegjësi të cilën duhet ta ushtrojmë me plotë kujdes”, tha zoti Abdixhiku.

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se subjekti i tij ka fituar në gjashtë komuna, ndërsa në një tjetër do të garojë në raundin e dytë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje ka shënuar një fitore, ku në gjashtë komuna jemi fituese, në Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Junik dhe Deçan, ndërsa në Istog jemi në balotazh. Pra është vërejtur rritje e votës në disa komuna”, tha ai.

Lista serbe ndërkaq shpalli fitoren në të dhjetë komunat e Kosovës që janë të banuara me shumicë serbe.

Mbi 25 mijë vëzhgues të vendit por edhe ndërkombëtarë ndoqën procesin. Rreth 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian qenë shpërndarë gjithandej Kosovës.

Rreth 100 prokurorë e gjykatës të Kosovës ishin përshirë në ditën e zgjedhjeve për të siguruar veprimet ligjore ndaj çdo përpjekjeje për keqpërdorimin e votës, ndërsa policia e Kosovës u kujdes për të siguruar një proces të qetë.

Nëpërmjet një komunikate, Prokuroria e Shtetit bëri të ditur se ka ndaluar 13 persona për veprat penale “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve, pengim të procesit të votimit, dhënie apo marrje të ryshfetit, cenim të fshehtësisë së votimit dhe falsifikim i rezultateve të zgjedhjeve”.

Zgjedhjet për pushtetin lokal u mbajtën tetë muaj pas atyre të përgjithshme ku lëvizja Vetëvendosje doli fituese me mbi 50 për qind të votave. Prandaj, zgjedhjet e së dielës janë parë si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe lëvizjen e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG