Lidhje

22 eurodeputetë kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën


Një grup prej 22 deputetësh të Parlamentit Evropian kërkuan të martën që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave pa shtyrje.

Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidencës austriake të Bashkimit Evropian, deputetët shkruajnë se liberalizimi i vizave do të përmirësojë qëndrueshmërinë dhe do ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian.

Duke theksuar se Kosova është i vetmi vend i papërfshirë në këtë regjim, deputetët shkruajnë se kjo krijon ndjenjë të izolimit që ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

Në letër përmendet fakti se Komisioni Evropian që më 18 korrik kishte pohuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për përfshirje në këtë regjim dhe Parlamenti Evropian me shumicë votash më 13 shtator mbështeti liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Propozimi i parë nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të këtij viti.

Në Kosovë kishte shpresë se këtë muaj Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian do ta diskutonte këtë çështje në takimin e 6 dhe 7 dhjetorit, por kjo nuk është përfshirë në agjendën e takimit.

Kjo u konfirmua edhe gjatë vizitës së komisionarit të BE-së për zgjerim, Johannes Hahn i cili të hënën qëndroi në Kosovë për të nxitur Prishtinën që të heqë tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.

Ligjvënësi amerikan Elito Engel, i bëri jehonë letrës së deputetëve të Parlamentit Evropian që besojnë se është thelbësore që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.

“Jam i zhgënjyer nga komisionari i BE-së, Johannes Hahn, i cili tha se liberalizimi i vizave për Kosovën do të shtyhet sërish. Kosova ka bërë krejt çfarë ka kërkuar Bashkimi Evropian. Mohimi i liberalizimit të vizave është tradhti e premtimeve që ka bërë Bashkimi Evropian”, shkroi ai.

Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimor që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa qytetarët e vendeve fqinje vitin e ardhshëm mbushin dhjetë vjet që kur janë përfshirë në regjimin e udhëtimit pa viza.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG