Lidhje

Zyrtarët evropianë sërish bëjnë thirrje për pezullimin e tarifave ndaj Serbisë


Kryesuesi i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, i bëri thirrje të shtunën qeverisë së Kosovës që të rivlerësojë vendimin e saj për tarifat ndaj mallrave serbe në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të bisedimeve.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë në Prishtinë, në përfundim të vizitës dy ditëshe në Kosovë të një delegacioni të Parlamentit Evropian.

Zyrtarët evropianë thirrje për pezullimin e tarifave ndaj Serbisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Zoti McAllister tha se Parlamenti Evropian dëshiron që bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë të vazhdojnë pasi që ky vit është mundësi për të arritur një marrëveshje normalizimi.

“Miqtë dhe partnerët e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij, Parlamenti Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët, të gjithë po kërkojnë nga qeveria e Kosovës që të rivlerësojë vendimin për tarifat. Pse? Për shkak të arsyeve edhe tjera, kjo është shkelje e marrëveshjes së CEFTA dhe po ashtu është shkelje e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim prandaj ne nuk besojmë se ky është vendim i drejtë. Pyetja tani është nëse këto tarifa do të mund të pezullohen? Pezullimi i tyre do të ishte, në pikëpamjen tonë, një hap për të bërë përparim. Ne kemi qenë shumë të qartë në këtë dhe kemi përsëritur këtë mesazh gjatë dy ditëve të fundit në Prishtinë”,tha ai.

Zoti McAllister tha se syimi është që Serbia dhe Kosova të ulen sërish në tryezën e bisedimeve në Bruksel, ndërsa ripërsëriti qëndrimin e Parlamentit Evropian lidhur më idetë për ndryshimin e kufijve.

“Parlamenti Evropian angazhohet për shoqëri shumë etnike në Kosovë e Serbi dhe se shtetet një etnike homogjene nuk duhet të jetë qëllim në rajon. Parlamenti Evropian mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian si kuadër për të arritur një marrëveshje normalizimi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Parlamenti Evropian konsideron që çdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme nga të dyja palët dhe duke marrë parasysh qëndrueshmërinë e përgjithshme të rajonit ligjeve ndërkombëtare”,tha ai.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Natalya Apostolova, bëri thirrje që tashmë të merret një vendim për të pezulluar tarifat.

“Në zemrat tona ne e kuptojmë sa e rëndësishme është për Kosovën dhe cilat ishin mesazhet politike përmes këtyre tarifave, por tash ka ardhur koha të merret një vendim dhe të kthehen në dialog”, tha zonja Apostolova.

Kosova po përballet javëve të fundit me trysni të madhe nga partnerët ndërkombëtar posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara që të pezullohen tarifat ndaj Serbisë, si mënyrë për t’i hapur rrugë vazhdimit të bisedimeve.

Pas vizitës së dy zyrtarëve të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, javën e ardhshme në Kosovë pritet të vijë edhe David Hale një nga zyrtarët më të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë ndërmarr veprime pas refuzimit të Prishtinës që të pezulloj tarifat ndërsa janë ngritur shqetësime me mundësinë e largimit të rreth 650 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe prania e tyre shihet si thelbësore për sigurinë e Kosovës.

Kosova po përballet me pikën më të ulët të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të refuzimit të qeverisë për të pezulluar tarifat ndaj mallrave serbe në mënyrë që t’i hapet rrugë bisedimeve me Serbinë. Kjo ka ndarë edhe skenën politike në vend në mes të atyre që janë kundër pezullimit të tarifave pa një garanci për njohje të pavarësisë nga Serbia dhe atyre që kërkojnë të dëgjohen këshillat amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG