Lidhje

Ngecje në reformat evropiane në Kosovë


Një grup organizatash në Kosovë tërhoqën vërejtjen të martën se vendi po ngecë në zbatimin e reformave evropiane, duke ngadalësuar edhe procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Një raport i publikuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Grupi për Studime Politike dhe Juridike dhe Instituti GAP, vë në pah se vetëm 51 për qind e veprimeve që dalin nga agjenda për reforma evropiane janë kryer në Kosovë në periudhën janar-shtator 2018, ndërsa 20 për qind e tyre mbesin pjesërisht të plotësuara.

“24 për qind të veprimeve janë të pa plotësuara, dhe për pjesën e mbetur prej 5 për qind, ka mungesë të informacionit, si rezultat i refuzimit ose mos bashkëpunimit të institucioneve përgjegjëse” thuhet në këtë raport.

Raporti ka për qëllim vlerësimin e arritjeve dhe ngecjeve të institucioneve të Kosovës në realizimin e masave dhe veprimeve të kësaj agjende e cila është pjesë e marrëveshjes për stabilizim asociim me Bashkimin Evropian dhe përqendrohet në tri shtylla kryesore, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve si dhe punësimi dhe arsimi.

Në shtyllën e parë, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, janë paraparë të realizohen 11 masa me gjithsej 37 veprime nga të cilat janë plotësuar gjithsej 62 për qind e veprimeve, 24 për qind janë plotësuar pjesërisht dhe kanë mbetur të paplotësuara rreth 14 për qind të tyre.

Në shtyllën e dytë, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, janë paraparë të realizohen 12 masa me gjithsej 44 veprime, nga të cilat janë plotësuar 46 për qind e veprimeve, 9 për qind janë realizuar pjesërisht dhe kanë mbetur të paplotësuara 34 për qind e tyre.

Në shtyllën e tretë, punësimi dhe arsimi, janë paraparë të realizohen 6 masa me gjithsej 27 veprime, nga të cilat janë plotësuar vetëm 44 për qind, 33 për qind janë plotësuar pjesërisht ndërsa 22 për qind mbesin të pa plotësuara.

Kosova nënshkroi në vitin 2015 marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, si kundërshpërblim për angazhimin e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, por hapi bisedimet për anëtarësim për shkak angazhimit në këto bisedime.

Bashkimi Evropian kërkon nga të dyja palët një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh para së të përmbushin synimin për t'u bërë pjesë e bllokut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG