Lidhje

Sqarohet vazhdimi i mandatit të EULEX-it


Kosova dhe Bashkimi Evropian janë dakorduar për vazhdimin e mandatit të Misionit evropian për sundimin e ligjit, deri në qershor të vitit 2014. Tashmë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka nisur një letër Përfaqësueses së lartë të bashkimit Evropian për punës të jashtme dhe politika të sigurisë, Catherine Ashton, nëpërmjet së cilës mirëpritet vazhdimi i pranisë së EULEX-it në Kosovë dhe përcaktohen përgjegjësitë që i takojnë këtij misioni. Në bazë të Kushtetutës në fuqi, Kosova ka mundësinë që të kalojë tek mekanizmat ndërkombëtarë përgjegjësi për çështje të caktuara.


Në diskutimet që i kanë paraprirë marrëveshjes, është lënë e hapur mundësia e vazhdimit të këtij mandati, nëse për këtë ka nevojë dhe pajtim.

Letërkëmbimi për mandatin e EULEX-it pritet të votohet në formën e një marrëveshjeje në Parlamentin e Kosovës. Tashmë partitë në pushtet dhe partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë pajtuar që të mbështesin vazhdimin e mandatit, ndërsa kjo është kundërshtuar edhe sot nga Lëvizja Vetëvendosje. Përfaqësuesit e saj thanë se prania e EULEX-it është e dëmshme për shkak të qëndrimit të paanshëm të tij ndaj statusit të Kosovës dhe për shkak se është në kundërshtim me të drejtën sovrane të institucioneve të Kosovës, për të ushtruar përgjegjësitë e tyre në fushën e sundimit të ligjit.

Në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian vendosi zgjatjen e mandatit të këtij misionin i cili ju nënshtrua një procesi të ristrukturimit, duke shkurtuar personelin e tij, që në vitin 2008 numëronte mbi 3 mijë pjesëtarë ndërkombëtarë, gjë që e bënte atë misionin më të madh në historinë e Bashkimit Evropian.

Misioni i EULEX-it u vendos në Kosovë në vitin 2008 me ftesën e autoriteteve të Prishtinës. Ai ishte paraparë me planin e krye ngeociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Mirëpo, mospajtimi i Beogradit dhe aleates së tij Rusisë më pavarësinë e Kosovës si dhe mosnjohja nga një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, bëri që ky mision të ketë qëndrim të paanshëm ndaj statusit të Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 dhe ajo mbikëqyret nga zyra civile ndërkombëtare, e cila do t’i jap fund këtij procesi deri më 10 shtator, datë kjo kur pritet ta lërë EULEX-in si të vetmin institucion ndërkombëtar me përgjegjësi ekzekutive në fushën e policisë dhe drejtësisë në Kosovë.

E premtja, më 7 shtator, pritet të përmbyllë edhe procesin e ndryshimeve kushtetuese e ligjore që mundësojnë përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe më shumë sovranitet për institucionet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG