Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, anuloi të enjten takimin e Këshillit të Përbashkët për sundimin e ligjit, një mekanizëm i përbashkët me qeverinë e Kosovës, duke kërkuar siç thuhet, një mjedis të paanshëm për gjyqësorin në vend.
Në një njoftim të këtij misioni thuhet se "mbrëmë, në një intervistë televizive, ministri i Drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me bazueshmërinë e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pikë pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë. EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm".
Në orët e mbrëmjes, ambasadori amerikan Greg Delawie shkroi në rrjetin social twiiter se "Shtetet e Bashkuara pajtohen. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori kë ketë mbështetjen për të vendosur në një mjedis të paanshëm".
Të mërkurën, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kishte deklaruar se në asnjë vend në botë nuk ka aktgjykim pa prova, duke ju referuar dënimit me 12 vjet heqje lirie të ish komandantit të Zonës së Parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, nën akuzat për krime lufte. Zoti Lushtaku është shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së një civili të panjohur shqiptar në shtator të vitit 1998. Rasti i tij aktualisht është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit.
Të enjten, zoti Kuçi u tha medieve në Prishtinë se ka biseduar me shefin e EULEX-it, Gabriele Meucci dhe se keqkuptimi është tejkaluar.
"Ne jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik ku edhe pavarësia e gjyqësorit edhe fjala e lirë respektohen”, citohet të ketë thënë ministri Kuçi në një deklaratë për KTV-në.
Dënimi i zotit Lushtaku si dhe dhjetë pjesëtarëve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe ish komandantin e saj të përgjithshëm, Sulejman Selimi, nën akuzat për krime lufte, patën nxitur shumë reagime në Kosovë por edhe kritika ndaj Misionit të EULEX-it.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton krimet e luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.