Lidhje

Oliver Ivanoviç transferohet në burgun e veriut të Mitrovicës


Politikani lokal serb që po mbahej në paraburgim në Prishtinë, ishte hedhur në grevë urie me kërkesën që të transferohet në qendrën e paraburgimit në veri.

Gjykata e apelit në Prishtinë, ka miratuar kërkesën e politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç, që të transferohet në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë nga ajo në Prishtinë, ku ai po mbahet që nga 27 janari nën dyshimet për përfshirje në krime lufte dhe krime të pasluftës në Kosovë.

Atij më 27 shkurt i ishte zgjatur paraburgimi për dy muaj të tjerë dhe të shtunën një gjykatës kishte miratuar kërkesën për transferim e cila ishte apeluar nga prokuroria. Një zëdhënës i Misionit të Bashkimit Evropian tha se sot pasdite, gjykata e apelit vendosi transferimin e tij.

Ndërkohë, zoti Ivanovic kishte filluar një grevë urie duke kërkuar transferimin në Mitrovicë. Kërkesave për transferim në veriun e banuar me shumicë serbe u ishin bashkuar edhe zyrtarët e Beogradit të cilët kanë ofruar garanci për të mundësuar mbrojtjen e tij në gjendje të lirë.

Gjykatësit e EULEX-it kishin refuzuar kërkesën për mbrojtje në liri të zotit Ivanoviç mbi të cilin rëndojnë dyshimet për krime lufte kundër civilëve të kryera në prill të vitit 1999 dhe nxitje të të tjerëve për kryerjen e veprave penale, vrasje apo lëndime të rënda trupore, të cilat janë kryer në shkurt të vitit 2000.

Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në zgjedhjet për pushtetin komunal, ishte kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG