Lidhje

Kosovë: Serbët e veriut – të pakënaqur me EULEX-in


Përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore të Kosovës paralajmëruan protesta kundër EULEX-it.

Anëtarët e Kuvendeve Komunale në veriun e Kosovës paralajmëruan protesta, ndaj siç është thënë, veprimeve të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Në një takim të jashtëzakonshëm të premten, ata thanë se “veprimet e EULEX-it janë kundër mandatit të tij dhe kundër qëllimeve të bashkësisë Ndërkombëtare” dhe me këtë sipas tyre, “ky mision me veprimet e tij gjatë muajve të fundit, ka humbur besimin e atyre të cilët duhet t’i mbrojë, dhe që deri në një afat të pacaktuar kohor bënë të pamundur realizimin e synimeve të këtij misioni”.

Anëtarët e komunave veriore të zgjedhur në zgjedhjet lokale të Kosovës thanë se kanë vendosur “të fillohet me protesta paqësore kundër veprimeve të EULEX-it që po zhvillon kohët e fundit, e që ka të bëjë me arrestimin e serbëve”.

EULEX-i nxiti reagimet e përfaqësuesve serbë në veri me hetimet ndaj disa përfaqësuesve politike lokal për përfshirje në disa veprime të paligjshme.

Ndërkohë EULEX-i reagoi ndaj këtij vendimi duke nënvizuar se “Bashkimi Evropian njeh të drejtën e mendimit të të gjithë qytetarëve në Kosovë, përfshirë kryetarët e komunave të veriut të Kosovës. Megjithatë, misioni do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij në përputhje me dëshirat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”.

Në një komunikatë për medie thuhet se misioni i merr parasysh shqetësimet e tyre dhe është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit politikë në mënyrë që të gjejë një rrugë për përmirësimin e bashkëpunimit dhe për të çuar përpara zbatimin e mandatit të Misionit i cili është përcaktuar në mënyrë të qartë nga Shtetet Anëtare të 28 të Bashkimit Evropian.

Në lidhje me procedurat ligjore, të cilat janë procese të pandara të mandatit në ndihmën ndaj Kosovës në rrugën e saj për një integrim më të madh evropian në fushën e sundimit të ligjit e të Misionit, theksojmë se nuk duhet të ketë ndërhyrje në institucionet e sundimit të ligjit. Ky është një parim kyç i misionit, dhe i sundimit të ligjit në përgjithësi, që drejtësia të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe askush nuk është mbi ligjin. Ky është standardi i padiskutueshëm ndërkombëtar, dhe ai te cilin misioni e zbaton. EULEX-i nuk ka bërë asnjë dallim në baza etnike, kur është fjala për zbatimin e sundimit të ligjit në kuadër të mandatit të tij dhe ç’do sugjerim se kjo mund të bëhet, siç është thënë në raste të ndryshme nga parti të ndryshme, është plotësisht i sajuar dhe i pabazë. Është e kuptueshme se disa procedura të caktuara ligjore mund të jenë të pakëndshme për disa individë, por në qoftë se ata nuk kanë kryer krime, atëherë ata nuk duhet të kenë frikë të paraqesin veten dhe të kenë mundësinë për të sfiduar ligjërisht çdo akuzë. Ju rikujtojmë se të gjithë janë të pafajshëm deri sa të provohet fajësia dhe ky rregull vlen në të gjitha procedurat ligjore”, thuhet në reagimin e EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas. Një pjesë e rëndësishme e punës së tij është e përqendruar në çështjet e trajtimit të pakicave kombëtare.

XS
SM
MD
LG